LAJMI I FUNDIT:

Bekim Lumi nderohet në Munih

Bekim Lumi nderohet në Munih

Më 24 nëntor, duke filluar nga ora 15:00, në Feilitzschstraße 12 të Munihut, nën organizimin e Theater Heppel & Ettlich, do të mbahet takimi nën moton: “Për nder të Bekim Lumit“.

Më 14 qershor të këtij viti, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Arturo Ui”. Në ato çaste, regjisori i shfaqjes, Bekim Lumi, ishte i shtruar në spital. Ai do të ndërrojë jetë më 30 korrik, në moshën 51-vjeçare.


“Ikja e hershme dhe e dhembshme e regjisorit Lumit, kishte tronditur edhe miqtë dhe kolegët e tij në Munih, me të cilët ai kishte bashkëpunuar gjatë viteve ’90. Përderisa kishte jetuar ditët prej refugjati në Gjermani, kishte punuar dhe inskenuar si regjisor”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Regjisori Hawre Zangana dhe Sabine Bohlau, kanë marrë iniciativën për organizimin e këtij takimi, për ta nderuar Lumin si artist dhe si njeri. Organizatorët shprehin bindjen se ky takim do të sjell frymëzim për avangardën artistike, për eksperimentin dhe thellësinë shprehëse që bart arti i Lumit.

Gjatë takimit do të ketë diskutime midis artistëve dhe artdashësve. Audiencës do t’i ofrohen motive të inskenimeve të Lumit që do të luhen prej Afrim Kasapollit dhe Bujar Ahmetit, do të ketë arie nga tenori Luan Durmishi, dhe fjalime nga përfaqësues të skenës teatrore: Dima Schneider, Otto Novoa etj.

Për detaje rreth këtij organizimi, mund të kontaktoni këtu: Luljeta Lumi (tel.: 0174 2384696), Sabine Böhlau (tel.: 0176 53250747); Jeton Neziraj (+37744186393). Adresa: kairosisgUG, Nockherstraße 3a, 81541 München. Email: office@kairosis.de.