LAJMI I FUNDIT:

​Begaj uron besimtarët ortodoksë nga Korça: Kjo pashkë ardhtë e mbarë

​Begaj uron besimtarët ortodoksë nga Korça: Kjo pashkë ardhtë e mbarë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, vizitoi Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, nga ku uroi edhe besimtarët ortodoksë në ditën e pashkës.

Presidenti Begaj në mesazhin e tij të urimit përcolli mesazhin se kjo festë sjell rigjallërimin e jetës.


“Uroj të gjithë besimtarët ortodoksë gëzuar pashkën! Zgjodha të jem në qytetin e Korçës në këtë ditë të shenjtë sepse ku më shumë se tjetër se qyteti i Korçës kjo festë e shenjtë festohet me këtë gjallëri dhe atmosferë të jashtëzakonshme. Kjo gjë mu konfirmua edhe nga mitropoliti i Korçës. Në orën 00:00 të gjithë besimtarët ortodoksë ndanë me njëri-tjetrin flakën, që simbolizoi Ringjalljen e Krishtit, rikthimin e shpresës dhe të dritës. Uroj për të gjithë shqiptarët, kjo pashkë ardhtë e mbarë, e bardhë dhe drita e pashkës ndriçoftë mendjen, zemrat dhe jetën e shqiptarëve”, deklaroi Begaj.

Me tej, presidenti Begaj vizitoi edhe Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.

Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin ne vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. “Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit./kp/