LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Ligji për pagat mund të përkeqësojë shpenzimet publike

Banka Botërore: Ligji për pagat mund të përkeqësojë shpenzimet publike

Rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2019 do të jetë 4.4 për qind, thuhet në raportin për Ballkanin Perëndimor të publikuar të martën në Prishtinë nga Banka Botërore.

Arsye për këtë rritje do të jenë shpenzimet e larta kapitale në Kosovë.

Megjithatë, raporti thotë se duke pasur parasysh numrin e madh të hyrjeve të reja në tregun e punës, shpenzimet e larta publike nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm papunësinë e lartë.

”Rreziqet fiskale janë në rritje. Ligji i ri për pagat publike, nëse nuk rregullohet me legjislacion të kujdesshëm dytësor, mund të rezultojë në deficite më të larta se rregulli fiskal, ose të çojë në një përkeqësim të përbërjes së shpenzimeve publike”, thuhet në raport, transmeton REL.

Ligji për pagat është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, në bazë të cilit janë rritur pagat për 70 për qind të punonjësve të sektorit publik.

Shqetësimin për shpenzimet që do të ndodhin nga fillimi i zbatimit të këtij ligji, i ka paraqitur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.