Bayern Munich përshpejton blerjen e Luis Diaz – kolumbiani i jep sinjale pozitive

Bayern Munich ka intensifikuar përpjekjet për të transferuar sulmuesin e Liverpoolit, Luis Diaz. Sipas Bild, lojtari i kombëtares kolumbiane ka shprehur gatishmërinë për t’u larguar nga Anfield, ndonëse negociatat zyrtare me klubin anglez ende nuk kanë nisur.
Interesimi i kampionëve të Gjermanisë u konkretizua javën e kaluar, pasi Bayerni nisi kërkimin për një sulmues të krahut të majtë për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Leroy Sané drejt Galatasarayt.
E ardhmja e Kingsley Coman mbetet e paqartë, ndërsa Serge Gnabry është në vitin e fundit të kontratës.
Me zgjatjen e kontratës së Nico Williams te Athletic Bilbao dhe konfirmimin nga Luis Enrique se Barcola do të qëndrojë në PSG, Díaz është kthyer në objektivin kryesor të bavarezëve.
Sipas Transfermarkt, vlera e kartonit të 27-vjeçarit vlerësohet rreth 70 milionë euro.
Liverpool nuk është i gatshëm ta lejojë largimin e tij lehtësisht, duke kërkuar një ofertë të konsiderueshme për të diskutuar një shitje. Sezonin e kaluar, Díaz realizoi 13 gola dhe dha 7 asistime në 36 paraqitje në Ligën Premier. /Telegrafi/



















































