LAJMI I FUNDIT:

Piktura me bashibuzukët shqiptarë, më e shtrenjta e Jovanoviqit

Piktura me bashibuzukët shqiptarë, më e shtrenjta e Jovanoviqit

Në Londër më 24 prill) është shitur piktura e njohur me titull ‘Dy bashibuzukët para portës’, që paraqet dy roje shqiptare në Egjipt, e që është vepër e piktorit të njohur serb, Paja Jovanoviq (1859-1957). Piktura është shitur 465 mijë funte (527,491 euro). Kjo është piktura më e shtrenjtë e këtij autori – deri sot.

Paja Jovanoviq njihet si ndër piktorët e rrallë që ka nxjerrë me ngjyra në pëlhurë madhështinë dhe krenarinë e shqiptarit, së bashku me rrobat karakteristike. Jovanoviq ka qëndruar në mesin e shqiptarëve që nga Mali i Zi e deri në Egjipt. Në këtë hapësirë gjeografike ai ka bërë shumë piktura me tematikë shqiptare, por më të njohurat janë: “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Mësimi i shpatës”, “Lufta e gjelave”, “Vallja e shpatave”, “Vajza me çifteli”, “Dredhja e duhanit”, “Shqiptari duke pushuar”, “Tradhtari” etj.


Edhe pse nuk dihet blerësi, media serbe ka kritikuar Qeverinë se nuk investon në blerjen e këtyre veprave për Muzeun e tyre Kombëtar. Ai është po ashtu autor i pikturës “Shpërngulja e madhe serbe”, që ka vlerë ikonike në serbi, meqë bazohet në mitin e madh serb të largimit nga Kosova me në krye patrikun serb, Arsenije i III-të.

Piktura me bashibozukët është shitur në ankandin e famshëm të artit, “Sotheby’s”. Çmimi fillestar ishte 150 mijë funte. /Telegrafi/