Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka vizituar aksin rrugor Kuqishtë–Çakorr në Rugovë, duke thënë se pas përfundimit të hartimit të projektit pritet të nisë rehabilitimi i plotë i kësaj rruge.

Në një postim në Facebook, ministri e ka cilësuar Rugovën si “mrekulli natyrore”, duke theksuar se ajo meriton infrastrukturë të përshtatshme për vizitorët.


“Rugova është mrekulli natyrore, prandaj edhe meriton infrastrukturë që njerëzit ta vizitojnë dhe shijojnë”, ka shkruar ai.

Ministri ka njoftuar se vizita në terren është bërë bashkë me ministrin Krasniqi, hartuesin e projektit dhe deputetin Kelmendi, ndërsa ka thënë se është interesuar personalisht që projekti t’i adresojë çështjet kryesore për rregullimin e këtij aksi rrugor.

“Dje bashkë me ministrin Krasniqi, hartuesin e projektit dhe deputetin Kelmendi, vizituam rrugën Kuqishtë–Çakorr. Jam interesuar personalisht që hartimi i projektit t’i adresojë çështjet kryesore dhe mundësitë më të mira për rregullimin e këtij aksi rrugor”, ka theksuar ministri.

Ai ka shtuar se Qeveria, sipas tij, është e përkushtuar që sapo të përfundojë projekti të nisë rehabilitimi i plotë, në mënyrë që rruga të shërbejë si për banorët lokalë ashtu edhe për vizitorët.

“Jemi të përkushtuar si Qeveri që, menjëherë pas hartimit të projektit, të fillojmë rehabilitimin e plotë, në mënyrë që këtë rrugë ta gëzojnë banorët e fshatrave, si dhe qytetarët e turistët nga të gjitha trojet që vijnë për t’i shijuar bukuritë natyrore të Rugovës”, ka përfunduar Basha. /Telegrafi/