Basha merr vendim për kufizimin e qarkullimit të kamionëve mbi 20 tonë gjatë temperaturave të larta


Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se ka marrë vendim për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore dhe rritjes së sigurisë në komunikacion gjatë ditëve me temperatura të larta.
Përmes një postimi në Facebook, Basha bëri të ditur se vendimi përcakton temperaturat dhe intervalet kohore kur do të hyjnë në fuqi kufizimet.
“Sot kam marrë vendim për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion”, ka shkruar Basha.
Sipas tij, në autoudhë kufizimi do të zbatohet në ditët kur temperatura maksimale e parashikuar arrin 32 gradë Celsius ose më shumë, në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30.
“Në autoudhë, kufizimi do të zbatohet në ditët kur parashikohet temperaturë maksimale 32°C ose më e lartë, në intervalin 11:00–17:30”, ka bërë të ditur ai.
Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimet do të zbatohen në ditët kur temperatura maksimale e parashikuar është 35 gradë Celsius ose më e lartë, po ashtu nga ora 11:00 deri në 17:30.
“Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimi do të zbatohet në ditët kur parashikohet temperaturë maksimale 35°C ose më e lartë, po ashtu në intervalin 11:00–17:30”, ka theksuar Basha.
Ai shtoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të publikojë çdo ditë, pas orës 16:00, njoftimin zyrtar nëse kufizimet do të zbatohen ose jo për ditën pasuese, bazuar në parashikimet më të fundit të Institutit Meteorologjik të Kosovës.
“Ky vendim synon mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke garantuar njëkohësisht siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, ka deklaruar ministri në detyrë. /Telegrafi/




































