LAJMI I FUNDIT:

Basha: Fatmir Xhafaj duhet të largohet

Basha: Fatmir Xhafaj duhet të largohet

Kur kanë kaluar më tepër se 24 orë nga përfundimi i protestës së thirrur nga opozita, për të kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka dalë me një mesazh për pjesëmarrësit.

Në llogarinë e tij në Facebook, kreu i Partisë Demokratike ka falënderuar pjesëmarrësit në protestë dhe ka konfirmuar qëndrimin e opozitës, që do të vijojë të kërkojë largimin e Fatmir Xhafajt.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës

Mirënjohje dhe respekt të thellë për qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që dëshmuan dje, se në Shqipëri ka një popull europian dhe një qeveri antieuropiane, e cila nuk ndahet dot nga krimi dhe nga dhuna.

Protesta i tregoi mbarë botës të vërtetën e krimit dhe të drogës, të vërtetën e vëllezërve Xhafaj, të vërtetën e një kryeministri i cili është lidhur aq ngushtë me krimin, sa nuk gjen dot një njeri pa lidhje me drogën që të drejtojë Ministrinë që duhet të luftojë drogën.

Qëndrimi ynë është i pandryshuar dhe i pakompromis: Fatmir Xhafaj duhet të largohet dhe do të largohet. Për sa kohë ai është ministër, nuk do të ketë hetim dhe drejtësi të vërtetë për të dhe për të vëllanë dhe nuk do të ketë luftë të vërtetë kundër krimit dhe drogës.

Atyre që bëjnë thirrje për dhunë dua t’u përgjigjem direkt: Partia Demokratike lindi dhe është forcë europiane. Ajo është parti e njerëve që besojnë tek liria, demokracia dhe vlerat europiane. Fuqia e saj janë njerëzit dhe vullneti i lirë i tyre dhe jo dhuna.

Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn i rrëzon e vërteta dhe jo dhuna. Dhuna nuk është zgjidhja, e vërteta është zgjidhja.

Ndaj nuk duhet të shpërqendrohemi nga e vërteta: Shqipëria nuk mund të ketë një ministër të brendshëm që ka mbrojtur dhe mbron vëllanë e tij trafikant. Qeveria nuk mund të jetë instrumenti i kriminelëve nga Arben Ndoka tek Armando Prenga tek Elvis Roshi tek Saimir Tahiri tek Agron Xhafaj tek Vangjush Dako, e qindra të tjerë. Qeveria duhet t’i përkasë popullit dhe të punojë për popullin. /Telegrafi/