Barcelona e gatshme që t’i luajë disa ndeshje të La Ligas në SHBA

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar së fundmi se klubi është i hapur për të luajtur ndeshje zyrtare të La Ligas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të zgjeruar ndikimin global të kampionatit spanjoll.
Ky hap vjen në vazhdën e përpjekjeve të La Ligas për të rritur prezencën e saj në tregjet ndërkombëtare, sidomos në SHBA, ku futbolli po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet.
“I jam në dispozicion të La Ligas. Nëse është një ndeshje që La Liga ka nevojë ta luajë në Shtetet e Bashkuara për të promovuar imazhin e saj dhe për ta bërë atë më tërheqëse nga ana komerciale, ne jemi në dispozicion për këtë”, deklaroi Laporta në një intervistë për mediat.
Ai shtoi se çdo marrëveshje e tillë duhet të respektojë integritetin sportiv të skuadrës.
“Natyrisht, ajo që duam është që të jetë një ndeshje që, sa më shumë të jetë e mundur, nuk dëmton aspektin sportiv, dhe besoj se kështu do të ndodhë. Ne kemi njoftuar tashmë La Ligan për gatishmërinë tonë”.
Ky propozim është në linjë me synimet e presidentit të La Ligas, Javier Tebas, i cili prej kohësh ka folur për potencialin e zhvillimit të ndeshjeve jashtë Spanjës për të zgjeruar tregun e La Ligas.
Tebas ka qenë zëri kryesor në promovimin e ideve për ndeshje të kampionatit spanjoll në vende si SHBA, dhe mbështetja e Laportas tregon një koordinim të fortë mes klubeve kryesore dhe federatës.
Për Barcelonën, e cila në vitet e fundit ka pasur vështirësi financiare dhe po punon për të stabilizuar financat, përfitimet nga një marrëveshje e tillë mund të jenë të mëdha.
Shitja e të drejtave televizive në një treg të ri dhe zgjerimi i bazës së tifozëve amerikanë do të sjellë të ardhura shtesë për klubin./Telegrafi/




















































