Barcelona dhe Fermin Lopez marrin vendimin përfundimtar për ofertën e Chelseat

Chelsea tentoi fuqishëm me një ofertë prej 40 milionë eurosh, por Barcelona dhe mesfushori ofensiv Fermin Lopez i kanë mbyllur derën një transferimi në afatin e fundit.
Sipas Mundo Deportivo, Fermin Lopez ka vendosur të qëndrojë te Barcelona, duke i dhënë fund spekulimeve që e lidhnin me një kalim të mundshëm te Chelsea në ditën e fundit të merkatos.
Chelsea thuhet se kishte paraqitur një ofertë prej 40 milionë eurosh plus bonuse për 22-vjeçarin, por Lopez nuk ka dashur të shtyjë për largim nga “Camp Nou”.
Interesi i fortë i londinezëve thuhet se e bëri Lopez të konsiderojë opsionet e tij, veçanërisht për shkak të konkurrencës së shtuar në repartin ofensiv të Barcelonës, me lojtarë si Dani Olmo, Raphinha dhe transferimi i ri Marcus Rashford.
Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës, përfshirë trajnerin Hansi Flick dhe drejtorin sportiv Deco, kanë qenë të vendosur për të mos e shitur lojtarin dhe nuk kishin ndërmend të hynin në negociata, përveçse nëse vetë Lopez do të kërkonte largimin.
Klubi katalanas nuk iu përgjigj zyrtarisht ofertës së Chelseat, pasi e konsideroi atë shumë larg vlerës reale të lojtarit.
Barcelona e vlerëson Fermin Lopez me 90 milionë euro dhe do ta kishte marrë parasysh largimin vetëm nëse lojtari do ta kishte kërkuar me ngulm, gjë që ai në fund zgjodhi të mos e bëjë./Telegrafi/



















































