LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Orllanit së shpejti do të kenë ujë të pijshëm

Banorët e Orllanit së shpejti do të kenë ujë të pijshëm

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim Ilir Abdullahun, kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”, me të cilin nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi për hartimin e Projektit zbatues për furnizim me ujë të fshatit Orllan.

Gjatë takimit, kryetari i Podujevës, Agim Veliu dhe kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu nënshkruan Marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin e Projektit zbatues për furnizimin me ujë të fshatit Orllan, nga Fabrika e Përpunimit të Ujit deri te konsumatorët.


Veliu tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është edhe një hap drejt realizimit të projektit me të cilin zgjidhet çështja e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Orllanit dhe fshatrave përreth.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar KRU “Prishtina” me stafin e saj harton projektin ideor duke caktuar pikat e kyçjes në furnizim, kthinën për stacion pompimi dhe lokacionin potencial për rezervuar.

Gjithashtu KRU “Prishtina” do të caktojë një zyrtar për komisionin e vlerësimit të ofertave dhe vlerësimit të projektit dhe do t’i bëjë kontrollin e projektit të harmonizuar me zyrtarët komunalë.

Ndërsa, Komuna e Podujevës në bazë të memorandumit siguron zotimin e mjeteve financiare në shumë prej 22 mijë euro për hartimin e projektit zbatues, si dhe kryen procesin e tenderimit dhe cakton komisionin e hapjes dhe vlerësimit të tenderit.

Realizimi i projektit të furnizimit me ujë të pijshëm të fshatit Orllan do të financohet nga Komuna e Podujevës, KRU “Prishtina” dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. /Telegrafi/