LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Hadës në rrezik, kërkojnë ndihmën e institucioneve

Banorët e Hadës në rrezik, kërkojnë ndihmën e institucioneve

Banorët e Hadës po ndihen të diskriminuar për shkak se po vlerësojnë se institucionet po bëjnë shkelje të drejtave të njeriut.

Ragip Grajçevci përfaqësues i fshatit Hade ka thënë se banorët e këtij fshati fillimisht janë të prekur si në shëndet dhe në pronë.


Ai pati vërejtje se nga institucionet e shtetit nuk janë ftuar asnjë herë të diskutojnë për këtë çështje.

“Zgjidhje për Hade nuk është bërë dhe ne në këtë proces të fillimit të minierës jemi 240 shtëpi”, ka thënë Grajçevci.

Sipas tij Hadja është e bllokuar tash e 40 vjet dhe se duhet nxjerrë një vendim konkret.

Grajçevci thotë se kahja e minierës më nuk është arsyetim dhe nuk duhet të jetë nga Qeveria.

Edhe Jonuz Grajçevci u ankua për shëndetin e banorëve të këtij fshati duke treguar se pesë anëtarë të familjes i kanë vdekur nga kanceri. Ai kërkoj zgjidhje për këto vuajtje të cilat po i përjetojnë.

Për shkelje të drejtave të njeriut për banorët e Hadës ka folur sot edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, gjatë një raportimi para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur.

Jashari ka thënë se gjendja në terren dhe të drejtat e banorëve të Hadës nuk janë në normale.

“Vlerësoj se nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Banorët konsiderojnë se kanë mbetur me një oazë. Kjo vonese nga viti 2004 e deri tash ka ngritur koston e shpronësimit të banorëve”, ka thënë Jashari duke shtuar se gjendja aktualë në Hade është një lloj geto dhe ka rezultuar me shkelje të të drejtave të njeriut. Dhe sipas tij, është momenti për të gjetur një vendim përfundimtar.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se për rastin e fshatit Shipitullë kanë intervenuar për shkak të gjendjes dhe kolapsit energjetik që ka pasur Kosova në vjeshtën e vitit të kaluar.

“Në vitin e kaluar kemi qenë para një kolapsi energjetik, ndërsa, projekti i ri për ‘Kosovën e Re’ parasheh që të kemi një minierë të re të thëngjillit për të siguruar thëngjill për 40 vitet e ardhshme. KEK ka angazhuar një kompani konsulente gjermane ku do të vlerëson kahjen e hapjes veri-jug të minierës së re dhe tregon anët negative dhe pozitive”, tha Lluka duke shtuar se çfarë do opsioni që merret shikohet ndikimi social dhe mjedisit.

Lluka ka thënë se shpronësimi në Shipitullë parashihet të kushtojë rreth 27 milionë euro, ndërsa për shpronësimin në Hade ai nuk pret të ndodhë e njëjta gjë dhe nuk duhet vepruar me atë praktikë.

Mustafë Grainca zëvendësministër i Financave ka thënë se ata janë në pritje të zgjidhjes këtij problemi, konform zgjidhjes do të veprojë.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Duda Balje, kërkoi sqarime për ndërtimet pa leje dhe mungesën e kushteve për jetë në Hade. Ndërsa, anëtari i Komisionit Salih Zyba ngriti çështjen e manipulimit nga Qeveria për shpronësim dhe ndërtim pa leje. /KP /Telegrafi/