LAJMI I FUNDIT:

Banka Qendrore e Turqisë do ta mbështes BQK-në

Banka Qendrore e Turqisë do ta mbështes BQK-në

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, është pritur nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya. Ky i fundit është zotuar për ta mbështetur anëtarësimin e BQK-së në klubin e guvernatorëve për Azinë Qendrore, Rajonin e Detit të Zi dhe vendet e Ballkanit.

Në këtë takim, guvernatori Mehmeti informoi guvernatorin Çetinkaya lidhur me zhvillimet në ekonominë, veçanërisht në sistemin financiar të Republikës së Kosovës, duke potencuar stabilitetin makroekonomik dhe rolin e rëndësishëm të sistemit financiar në mbështetjen e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë së vendit.

Sipas një komunikate të BQK-së, dy guvernatorët diskutuan rreth bashkëpunimit ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, duke shprehur përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat e përbashkëta.

“Me kërkesë të guvernatorit Mehmeti, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë u zotua për ta mbështetur anëtarësimin e BQK-së në Klubin e Guvernatorëve për Azinë Qendrore, Rajonin e Detit të Zi dhe vendet e Ballkanit. Anëtarësimi i BQK-së në këtë klub paraqet një mundësi të mirë për përforcimin dhe thellimin e bashkëpunimit me vendet anëtare, derisa mbështetja e Turqisë në këtë proces është shumë domethënëse, duke marrë parasysh faktin se Banka Qendrore e Republikës së Turqisë është njëra ndër bankat qendrore themeluese të këtij klubi”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Guvernatori Mehmeti shprehu edhe një herë mirënjohjen ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin me zotimin, që niveli i bashkëpunimit mes dy bankave qendrore do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen. /Telegrafi/