LAJMI I FUNDIT:

Banka e Shqipërisë frenon rritjen e interesave, inflacioni pritet të normalizohet gjatë vitit 2023

Banka e Shqipërisë frenon rritjen e interesave, inflacioni pritet të normalizohet gjatë vitit 2023

Banka e Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75 për qind.

Pas tre rritjesh radhazi me nga 0.5 përqindje në tre mbledhjet e fundit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ngadalësojë ritmin e normalizimit monetar, duke parë edhe sinjalet pozitive që inflacioni dhe veçanrëisht komponenti i tij bazë ka dhënë në muajt e fundit.


Guvernatori, Gent Sejko, tha se trajektorja e inflacionit duket se ka shënuar një kthesë drejt reduktimit në tremujorin e katërt, ndërkohë që aktiviteti ekonomik vijon të jetë nën presionin e çmimeve të rritura dhe të pasigurisë së shtuar.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i deritanishëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuuar në zbutjen e presioneve inflacioniste, nëpërmjet kontrollit të pritjeve për inflacionin, reduktimit të pasigurisë dhe ruajtjes së stabilitetit në tregjet financiare, si dhe garantimit të qëndrueshmërisë së monedhës tonë kombëtare.

“Ky vendim faktorizon reduktimin e inflacionit brenda dhe jashtë vendit në muajin nëntor, si dhe na mundëson një rivlerësim të shpejtësisë së normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, në funksion të respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe të ruajtjes së ritmeve pozitive të rritjes ekonomike. Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit u përcaktua nga reduktimi i efektit direkt të inflacionit të importuar.

Ky fenomen ishte i pranishëm dhe në ecurinë e inflacionit të partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Megjithatë, përtej efektit direkt, niveli i lartë i inflacionit vazhdon të ushqehet nga transmetimi i tyre në koston e mallrave dhe shërbimeve, si dhe nga kërkesa relativisht e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, e cila siguron një shkallë të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, veçanërisht në tregu e punës,” tha Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit. Megjithatë, në ngjashmëri me tremujorin e dytë, ritmi i rritjes ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi, si pasojë e pasigurive për të ardhmen, e rritjes së kostove të prodhimit dhe e reduktimit të kërkesës së huaj. Këto pasoja janë shfaqur në formën e shtrenjtimit të faturës së importeve, si dhe të një ecurie më të ngadaltë të investimeve private e publike.

Përkundrejt tyre, tregu i punës në tremujorin e tretë shfaqi një ecuri mjaft pozitive. Punësimi në ekonomi u rrit me 4.2% në terma vjetorë, norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6%, ndërkohë që paga mesatare në sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 12.4%.

Kjo ecuri dëshmon se kërkesa agregate në vend mbetet solide, e mjaftueshme për të gjeneruar rritje punësimi dhe pagash. Sipas bankës së Shqipërisë, kjo tregon, po ashtu, faktin se bazat e rritjes ekonomike të vendit janë relativisht të shëndetshme.

Projeksionet e skenarit bazë të bankës së Shqipërisë, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme.

Inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024.

Rritja ekonomike pritet të mbetet e moderuar edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe të zhvendoset gradualisht drejt normave të saj historike në periudhën në vijim, duke ofruar një raport më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në vend.

Megjithatë, Guvernatori theksoi edhe njëherë se procesi i normalizimit monetar është i nevojshëm për të kthyer inflacionin pranë objektivit dhe ky proces do të vazhdojë gjatë vitit 2023.

“Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmon gjykimin e tij se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Gjithashtu, ai thekson se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Ky normalizim bëhet edhe më i nevojshëm, në prani të një balance rreziku për inflacionin, e cila qëndron ende në kahun e sipërm.

Në linjë me komunikimet e mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se shpejtësia dhe intensiteti i këtij normalizimi ka qenë dhe do të mbetet një proces i udhëhequr nga të dhënat e reja.

Qëndrimi i politikës monetare do të synojë të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e tyre në frenimin e aktivitetit ekonomik,” tha Sejko.

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori