LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritet të jetë 7.1 për qind

Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritet të jetë 7.1 për qind

Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi, por rreziqet për rritjen mbeten të larta, derisa vendi vazhdon të përballet me pandeminë COVID-19.

Kështu thuhet në raportin “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas pandemisë COVID-19”, duke shtuar se tkurrja e aktivitetit ekonomik prej minus 5.3 për qind në vitin e kaluar, Kosova pritet të ketë rritje ekonomike me 7.1 për qind në vitin 2021.

“Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind kundrejt një rikthimi të mërgatës, masave mbështetëse fiskale dhe rritja e huadhënies. Rritja parashikohet të mbetet mbi 4 për qind në periudhën afatmesme. Në planin afatmesëm, Kosova duhet të kalojë në një model rritjeje më të orientuar drejt produktivitetit”, thuhet raport, shkruan Telegrafi.

Sipas BB-së, rritja ekonomike është rikthyer në territor pozitiv gjatë tremujorit të katërt 2020.

Ekonomia gjatë vitit 2020 u tkurr me 5.3 për qind, por informaliteti i lartë ka të ngjarë të zbeh ndikimin e plotë ekonomik dhe social të pandemisë. Punësimi formal tejkaloi ndikimin e pandemisë, por pjesëmarrja e ulët e fuqisë punëtore, veçanërisht për gratë, vazhdon të jetë ndër kufizimet kryesore në vend. Rritja ekonomike u kthye në territor pozitiv gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020”, vijon BB.

Parashikimi i rritjes ekonomike | Burimi: Banka Botërore

Raporti thotë se parashikimi aktual për ekonominë rajonale është më pozitiv nga sa pritej, me rritje të saj prej 5.5 për qind në vitin 2021.

“Rimëkëmbja u nxit kryesisht nga një ringritje e fortë e eksporteve gjatë gjysmës së parë të këtij viti, si rezultat i rigjallërimit të aktivitetit në Eurozonë dhe rritjes së ndjeshme të çmimeve të mallrave, si dhe forcimit të kërkesës së brendshme falë procesit të vaksinimit dhe paketave mbështetëse. Megjithatë, rritja që përjetuan eksportet mund të zbehet për shkak të përhapjes së vazhdueshme në botë dhe në rajon të varianteve më ngjitëse të COVID-19”, thotë raporti.

Banka thotë se gjatë vitit të ardhshëm, rritja ekonomike rajonale do të jetë në 3.4 për qind.

Në vitin 2022, rritja rajonale parashikohet të ngadalësohet në 3.4 për qind, si rezultat i stabilizimit të kërkesës së jashtme dhe asaj të brendshme si dhe ndërprerjes së stimujve të dhënë për shkak të pandemisë”, citon Banka Botërore.

Parashikimet e rritjes ekonomike të Kosovës | Burimi: Banka Botërore

Në fund, raporti thotë se perspektiva mbetet tejet e pasigurt në kushtet e kohëzgjatjes së pandemisë, veçanërisht në kontekstin e qasjes të pabarabartë në vaksina dhe ngurrimit të qytetarëve për t’u vaksinuar.

“Rimëkëmbja rajonale është shoqëruar me një përshpejtim të rritjes së inflacionit. Rajoni mbetet i ekspozuar ndaj stresit financiar, i cili mund të nxitet nga një shtrëngim i papritur i kushteve të financimit të jashtëm ose nga një rritje e menjëhershme e pasigurisë së politikave dhe tensioneve gjeopolitike”, përfundon raporti. /Telegrafi/