Ballkani e ka dominuar Dritën në tre duelet e fundit edhe pse gara për titull mbetet e hapur
FC Ballkani dhe FC Drita duket se do të luftojnë deri në fund për titullin e kampionit. Ky duel për vendin e parë ka nisur tash e pesë vite, ku tri herë titulli ka përfunduar te suharekasit, ndërsa një herë te gjilanasit.
Pas fitores së sotme të Ballkanit me rezultat 3-0 ndaj Dritës, ku vendasit dominuan në çdo drejtim, situata në tabelë është barazuar sa i përket pikëve, me të dy skuadrat që kanë nga 42.
FC Prishtina duket se vështirë do ta ndjekë ritmin e dyshes kryesuese. Kryeqytetasit janë në vendin e tretë me 38 pikë, megjithëse gjithçka mbetet e hapur pasi kanë mbetur edhe 12 ndeshje deri në fund të sezonit.

Ballkani dhe Drita kanë pikë të barabarta, por suharekasit janë më të mirë në disa statistika. Sidomos në përballjet direkte, ku në tri ndeshje këtë sezon Ballkani i ka fituar të gjitha: 2-0, 3-2 dhe 3-0.
Vështirë se mbahet mend një dominim i tillë i një rivali për titull ndaj kundërshtarit direkt, sikurse këtë sezon ku Ballkani ka qenë më i suksesshëm në duelet me Dritën.
Edhe sa i përket golaverazhit, Ballkani qëndron më mirë me +21, ndërsa Drita ka +9.
Ardhja e trajnerit Mislav Karoglan duket se e ka stabilizuar Ballkanin, që po vazhdon bindshëm në të dy frontet, edhe pse në disa ndeshje të kampionatit ka lëshuar pikë.

Karoglan ka qenë në krye në dy fitoret e fundit ndaj Dritës, si në Gjilan (3-2), ashtu edhe në ndeshjen e sotme, ku golat u realizuan nga Bleart Tolaj, Arbër Potoku dhe Almir Kryeziu, me këtë fundit që po zhvillon sezonin e jetës.
Lufta për titull pritet të vazhdojë deri në fund, me dy skuadrat që do të kërkojnë pikë në çdo ndeshje. /Telegrafi/





























