Balkan Monumental Trail është një projekt turistik që mbulon tërë Ballkanin Perëndimor dhe përfshinë tërë produktet e turizmit të rajonit.

Në këtë shteg turistik janë të përfshira të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Balkan Monumental Trail është një produkt i ri turistik që mbulon tërë Ballkanin Perëndimor dhe përfshinë tërë produktet e turizmit të rajonit. Ne si RCC po përpiqemi që të krijojmë disa rrugë kulturore në rajon dhe Balkan Monumental Trail është njëra nga këto, që është e bazuar nga monumentet e Luftës së Dytë Botërore që janë ndërtuar ndërmjet viteve 1950 dhe 1990”, tha për Telegrafin, Nikola Gaon nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC).

Ai thekson se është në dorën e agjencive turistike që t’i sjellin turistët në këto pjesë.

“Është një listë prej 40 monumenteve që mund të vizitohen dhe që janë pjesë e ofertave turistike. Ajo se çfarë mund të theksojmë është se ekonomitë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të përfshira në këtë pjesë. Me ndërtimin e këtij brendi, ne do të ofrojmë diçka të re në tregun e turizmit. Tashmë kjo është në dorën e operatorëve turistikë që ta ofrojnë këtë që t’i marrin vizitorët në këto pjesë”, thekson ai.

I pyetur për ndikimin ekonomik, Gaon nga RCC tregon se, turizmi është mjaftë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe se përbënë 25 për qind të eksporteve në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

“Turizmi është shumë i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi të dhëna që në vitin 2018, këtë pjesë e kanë vizituar mbi 12 milionë persona. Turizmi përbën 25 për qind të eksporteve në Prodhimin e Brendshëm Bruto”, tregon Gaon.

Sipas tij, ky projekt do ta rris këtë vlerë, me qëllim që të arrihet në nivelin evropian.

“Me ofrimin e produkteve të reja të turizmit, ne mendojmë që ta rrisim këtë numër. Turizmi kulturor në Evropë përbënë 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe me ofrimin e kësaj ne pretendojmë që ta arrijmë këtë vlerë edhe në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë neve na duhet një produkt si ky”, përfundon ai.

Nga 40 vendet që janë të përfshira për t’u vizituar në këtë shteg, në Kosovë gjenden 4 monumente.

Ndërsa, në Shqipëri janë 7 monumente, në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi janë nga 5, në Serbi janë 8 dhe Bosnjë e Hercegovinë janë 11. /Telegrafi/