LAJMI I FUNDIT:

Bajrami bën apel për ekzekutim të pagave: Më keq se moszbatimi i ligjit është zbatimi i tij në mënyrë selektive

Bajrami bën apel për ekzekutim të pagave: Më keq se moszbatimi i ligjit është zbatimi i tij në mënyrë selektive

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami e cila ka drejtuar edhe sektorët e financave dhe arsimit në qeveritë e mëhershme ka bërë apel që të ekzekutohen pagat edhe për mësimdhënësit dhe të mos bëhen dallime mes sektorëve që kanë qenë në grevë.

Përmes një shënimi në Facebook, Bajrami ka thënë se për shërbyesit civilë pagat e shtatorit janë ekzekutuar, pavarësisht se të njëjtët kanë qenë në grevë.


“Të gjithë ju që po e mbroni Qeverinë për mosekzekutim të pagave për punëtorët e arsimit dhe po thirreni në zbatushemëri të ligjit, a e dini se pagat iu kanë dalë punëtorëve të administratës të cilët po ashtu kanë qenë në grevë gjatë shtatorit?”.

Ajo ka thënë se ligji duhet zbatuar në mënyrë të njëjtë për të gjithë.

“Po besoj të gjithë pajtohemi se: “Më keq se moszbatimi i ligjit është zbatimi i tij në mënyrë selektive”.Të ekzekutohen pagat nesër!”, ka shkruar Bajrami.

Greva në arsim dhe në administratën publike të Kosovës nisi më 25 gusht dhe u pezullua më 1 tetor.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) njoftoi më 3 tetor se punonjësit e arsimit, që ishin në grevë, nuk u paguan për muajin shtator, ndërsa shërbyesit civilë po.

Qeveria e Kosovës e arsyeton vendimin për mosekzekutimin e pagave për grevistë duke u thirrur në Ligjin për greva të Kosovës.

Në këtë ligj, përkatësisht në nenin 18, thuhet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar./Telegrafi/