Bad Bunny sjell patriotizmin portorikan dhe mesazhin e unitetit në Super Bowl

Shfaqja e Bad Bunny gjatë pushimit të Super Bowl u shndërrua në një homazh të madh për vendlindjen e tij, Porto Rikon, dhe për kulturën latine.
Seti 14-minutësh u ndërtua si një “shtëpi” tradicionale portorikane, me skena që paraqisnin ambiente tipike si sallon bukurie dhe bar lagjeje, duke krijuar një udhëtim vizual në realitetin e Karaibeve.
Në performancë u bashkuan edhe Lady Gaga dhe Ricky Martin, ndërsa yje si Pedro Pascal, Cardi B, Karol G dhe Jessica Alba u shfaqën duke kërcyer në sfond, shkruan BBC.

Fituesi i shumë çmimeve Grammy interpretoi disa nga hitet e tij më të mëdha, përfshirë “Tití Me Preguntó”, “MONACO” dhe “BAILE INoLIVIDABLE”.
Ai hyri në histori si muzikanti i parë që realizoi një shfaqje të pushimit të Super Bowl tërësisht në spanjisht, duke theksuar identitetin dhe gjuhën e tij në një nga skenat më të mëdha të botës.

Megjithëse pritej të bënte deklarata politike, Bad Bunny zgjodhi një mesazh bashkimi dhe dashurie.
Ai shfaqi frazat “E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria” dhe “Së bashku, ne jemi Amerika”, duke promovuar unitetin mes komuniteteve. Performanca përfshiu edhe momente simbolike, si homazhi për viktimat e uraganit Maria dhe referenca ndaj sfidave të Porto Rikos.

Në fund, artisti e mbylli shfaqjen duke thënë “Zoti e bekoftë Amerikën” në spanjisht dhe duke përmendur vende të ndryshme të Amerikës së Veriut dhe Jugut, ndërsa valltarët ngritën flamuj në sfond.
Shfaqja u vlerësua si një festë e kulturës latine dhe një deklaratë krenarie për rrënjët portorikane në skenën më të madhe sportive në botë. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com






























































