Autoriteti i Konkurrencës në Kosovës bën të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm (e mërkurë) i organizuar nga deputetja LDK-së, Hykmete Bajrami në takim me komunitetin e biznesit, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe deputetë të partive në Kuvendin e Kosovës, lidhur me vendimin për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Sipas Autoritetit, thuhet se vendimi për mospjesëmarrje është i bazuar në mandatin Kushtetues dhe ligjor të Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë, si dhe në nevojën për ruajtjen e pavarësisë dhe paanshmërisë institucionale, “e cila është shtyllë themelore për funksionimin dhe integritetin e institucionit”.


Më tej thuhet se bazuar në nenin njëzet e një të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, AKK është agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.

“Më tej, paragrafi 3 i këtij neni përcakton qartë se: Ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Sipas AKK-së, kjo dispozitë nënvizon domosdoshmërinë që Autoriteti i Konkurrencës të veprojë vetëm mbi bazën e ligjit dhe të kompetencave të tij, “pa u përfshirë në formate politike, debate ad-hoc apo iniciativa të cilat nuk zhvillohen në përputhje me strukturat zyrtare shtetërore”.

Më tej Autoriteti i Konkurrencës thekson se, në rrethanat aktuale ku Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar, AKK nuk është në pozitë institucionale për të ndërvepruar me grupe parlamentare, deputetë individualë apo organizime me natyrë politike jashtë kuadrit formal të Kuvendit.

“Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar të veprojë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe objektive, duke garantuar mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe funksionimin e tregut sipas parimeve ekonomike dhe të ligjshmërisë”, njofton AKK, duke theksuar se, bashkëpunimi i Autoritetit me institucionet shtetërore po ndodh dhe po zhvillohet në çdo kohë, brenda kornizës së mandatit ligjor dhe në funksion të interesit publik, e posaçërisht në momentin kur të rikthehet funksionimi i rregullt i Kuvendit të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/