LAJMI I FUNDIT:

ATK: Lokalet e lojërave të fatit në Kosovë vitin e kaluar janë gjobitur me 1.7 milion euro (Video)

ATK: Lokalet e lojërave të fatit në Kosovë vitin e kaluar janë gjobitur me 1.7 milion euro (Video)

Pas kërkesës për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit, kryeministri Ramush Haradinaj në kuadër të mbledhjes së rregullt të Qeverisë, ka miratuar projektligjin  për ndalimin e këtyre të fundit. Nga Administrata Tatimore e Kosovës, bëhet e ditur se vetëm në vitin e 2018 nga lojërat e fatit është paguar gjobë 1.7 milion euro.

Qeveria e Kosovës përfilli kërkesën e Lidhjes Demokratike e Kosovës, që të shfuqizohet Ligji për lojërat e fatit, me anë të të cilit pezullohet veporimtaria për 10 vjet e të gjitha lojërave të fatit.


“Javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës kemi iniciuar një mocion e cila në thelb ka dy kërkesa kryesore. E para është që të gjitha aktivitet e lojërave të fatit të pezullohen deri në plotësimin e kërkesës së dytë, e cila është që brenda 30 ditëve Qeveria ta ndryshojë Ligjin për lojërat e fatit ku për 10 vitet e ardhshme ndalohen lojërat e fatit në tërë territorin e Kosovës”, tha për RTV Dukagjinin, Besian Mustafa.

Zëdhënësja e  Administratës Tatimore e Kosovës (ATK),  Valentina Bytyqi, tregon numrin e përgjithshëm të lojërave të fatit që operojnë të licencuara në Kosovë. Bëri të ditur se aktualisht në Kosovë nuk ka kazino të licencuar.

“Në veprimtarinë e basteve janë diku 306 njësi të bastoreve, të shpërndara në gjithë territorin e Kosovës. Në veprimtarinë e lojërave të aparateve-automatit janë  133 lokale dhe në veprimtarinë e bingos janë vetëm gjashtë lokale”, tha Valentina Bytyqi.

Bytyqi po ashtu shtoi se 1.7 milion euro gjoba janë lëshuar vetëm gjatë vitit të kaluar për këtë sektor, ndërkaq 711 mijë euro tatim.

“Kemi pasur 711 mijë euro gjoba për mos pagesë tatimi, ndërsa shumë më të mëdha janë gjobat që ATK ka lëshuar ndaj këtyre veprimtarive për mosrespektim  të rregullave të lojërave të fatit”, tha Bytyqi.

Kërkesa për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit erdhi pas dy vrasjeve që ndodhën në lokalet  në Suharekë e Lipjan./RTV Dukagjini/Telegrafi/