LAJMI I FUNDIT:

ATK-ja obligon edhe taksit të pajisen me sistem fiskal

ATK-ja obligon edhe taksit të pajisen me sistem fiskal
Ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), njoftoi të premten se ka bërë disa plotësim/ndryshime në dokumentin “Kërkesat Specifike, Teknike dhe Funksionale për Pajisjet Elektronike Fiskale”.

Sipas njoftimit, këto ndryshime janë bërë në nenin “Kërkesat për Terminalin Tatimor – Transmetimi i të dhënave” dhe nenin “Sistemi Fiskal për sektorë të veçantë – Taxi”.


Në nenin 21 – Sistemi Fiskal për sektorë të veçantë ndër të tjera thuhet se “furnizimi me shërbime TAXI duhet të jetë i lidhur saktësisht me regjistrimin e shërbimeve dhe duhet të punojë nën rregullin e detyrueshëm “pa kupon fiskal, s’ka shërbim'”.

ATK ri-njoftoi të gjithë tatimpaguesit se mund të bëhen operator të autorizuar për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale/Sistemeve Fiskale.

“Pra, përmes këtij njoftimi, ftohen të gjitha kompanitë e interesuara, se mund të aplikojnë që të bëhen Operator të autorizuar të PEF/SF, për një apo më shumë modele specifike, në çdo kohë sipas kritereve të publikuara nga ATK, për Autorizim si Operator Ekonomik me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të PEF/SF”, thuhet në komunikatën për media.

Kushtet që duhet plotësuar dhe dokumentet që duhet të dorëzohen për aplikim mund t’i gjeni në ueb faqen e ATK-së, shkarko Kushtet Administrative për Autorizim.

“Aplikimin mund ta bëni edhe përmes sistemit të ATK, mirëpo kërkesa së bashku me dokumentet tjera origjinale duhet të dorëzohen fizikisht në zyrën e Arkivit në ATK”, bëhet e ditur tutje.

Linku për aplikim përmes sistemit https://arka.atk-ks.org/#/requesteconomicoperator/create. /Telegrafi/