LAJMI I FUNDIT:

Asociacioni Z-4

Asociacioni  Z-4

Se Kosova është në prag të humbjes së pjesës së territorit mbi lumin Ibër pakkush është duke e kuptuar. Dhe, kjo humbje përgjithmonë e këtij territori nuk është rezultat i pranimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave nga pushteti, por kjo do të ndodhë si rezultat i aktiviteteve të cilat ne emër të patriotizmit është duke i bërë Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Këto subjekte janë duke tentuar t’i dhurojnë këtë pjesë të territorit Serbisë dhe se a është injoranca politike në pyetje apo diçka tjetër motiv i kësaj ndërmarrje, mbetët për tu parë në të ardhmen!


Antologjia e marrëveshjes së ofruar nga BE për Asociacionin është e njëjtë dhe përkon me situatën e krijuar me 1995 në Kroaci, ku serbëve në të ashtuquajturën “Republika e Krainës Serbe” nga bashkësia ndërkombëtare ju ofrua i ashtuquajturi plan Z-4 (Zagreb-4) i cili parashihte integrimin e tyre në shtetin kroat, por që Republika e Krainës do të ruante shumë atribute shtetërore, duke përfshirë disa pika, si: autonominë e plotë monetare, përfshirë këtu edhe politikën fiskale dhe monedhën e veçantë; elementet e shtetësisë – si stemën, flamurin, himnin dhe Policinë; rendi kushtetues dhe ligjet e Kroacisë ka qenë i aplikueshëm në territorin e Krainës vetëm pasi të vendosin përfaqësuesit legjitim të saj; Kraina ka pasë zgjedhje për kryetarin e saj; Kraina nuk ka pasë të drejtë të ketë ushtri, por Ushtria kroate ka mundur të hyjë vetëm me ftesën e kryetarit të Krainës; dhe, asnjë zyrtar i Krainës nuk ka qenë i obliguar t’i përgjigjet urdhrave të zyrtarëve kroatë.

Pak a shumë këto kanë qenë pikat kryesore që e ashtuquajtura “Mini kontakt grupi” në përbërje të përfaqësuesve nga SHBA, Rusia dhe të përfaqësuesve nga Bashkimi Evropian – Franca dhe Gjermania – iu ofruan palës serbe dhe kroate, të cilat po të shikohen me vëmendje krijonin një etnitet shtetëror brenda territorit Kroat.

Pala kroate, më saktë kryetari Tugjman, e pranon planin si “bazë të mirë për bisedime”, por duke e ditur paraprakisht që pala serbe nuk e pranon dhe duke pasur planin rezervë “Oluja”

Mospranimi i këtij plani ishte fatal për serbet; kjo bëri që në njëfarë forme të legjitimojë operacionin ushtarak “Oluja” i cili në fakt përpos që fshiu nga faqja e dheut Republikën Serbe të Krainës, ai njëkohësisht dëboi pjesën më të madhe të serbëve nga hapësirat kroate.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave gjithashtu është një plan i ngjashëm me Z-4, përmes së cilës BE dhe SHBA po tentojnë të vendosin elementet e shtetësisë së Kosovës në pjesën mbi Ibër. Por, që tani palët kanë ndërruar anët. Nëse pala Kosovare nuk implementon këtë marrëveshje, ajo i krijon mundësi që pala serbe të legjitimojë aksionin e saj për funksionalizimin e strukturave shtetërore serbe.

Kapacitetet ushtarake të Ramushit & Company për ta rimarrë këtë territor ushtarakisht janë të nivelit të “Republikës së Gllogjanit”.

Molla e Kuqe do të zhvendoset në Zveçan.