LAJMI I FUNDIT:

Asociacioni, shkëmbimi, apo “mos na nguc, s’të ngucim”

Asociacioni, shkëmbimi, apo “mos na nguc, s’të ngucim”

Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të zbarkojnë javën e ardhshme në Prishtinë dhe në Beograd për t’i hapë rrugë themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, njërës nga çështjet më problematike në dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo që kërkoi pala kosovare, përfshirjen e ShBA-së në dialog, po ndodhë. Por, po ndodhë edhe presioni i ShBA-së që dialogu i nisur në vitin 2011 të sjell rezultate, që status quo-ja të marrë fund.

Amerikanët thonë se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të vihet në pikëpyetje.

Dy përfaqësuesit e administratës amerikane, njëri i ngarkuar me çështjet e Ballkanit Perëndimor e tjetri ambasador në Kosovë, më qartë se asnjëherë më parë, gjatë kësaj jave shpërfaqën qëndrimin se SHBA përkrah krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pa kompetenca ekzekutive. Madje, Esbobari i sugjeroi Qeverisë së Kosovës që të shqyrtojë me kujdes modele të shumta të asociacionit, por që nuk lejojnë një nivel tjetër të qeverisjes – pa kompetenca ekzekutive.

Amerikanët janë të vetëdijshëm për shqetësimet e palës kosovare se me krijimin e Asociacionit, Kosova mund ta përjetojë fatin e Bosnjës e Hercegovinës me Republika Srpska.

“… jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Srpska tjetër. Askush nuk është i interesuar për këtë. Kjo nuk i ndihmon Kosovës”, e tha ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier.

Teksa amerikanët po përpiqen të na bindin se duhet të gjejmë një model të asociacionit, që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, Qeveria Kurti është e fokusuar në krizën energjetike dhe po përballet me kundërshtime të ashpra të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Në këtë ngritje enorme të çmimit të energjisë elektrike dhe në këtë ngritje të frikshme të rasteve me koronavirus, askush nga Qeveria, asnjë fjalë për vizitën e dyshes ndërmjetësuese në dialog nga ShBA-ja dhe BE-ja.

I vetmi që tha diçka ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ai tha se Kosova dhe Serbia po bisedojnë në Bruksel marrëveshjen sipas të cilës zotohen të mos e sulmojnë njëra-tjetrën. Sipas tij, kjo do të quhej “marrëveshje mirëbesimi”.

Mirë boll. Me demek, as s’po ju ngucim, as mos na ngucni.

***

Në kohën kur ShBA-ja dhe BE-ja po insistojnë në arritjen e një marrëveshjeje për Asociacionin, në skenën politike të Kosovës ditëve të fundit janë dëgjuar zëra pro shkëmbimit të territoreve.

Nënkryetari PDK-së, Ramë Buja, ka mbrojtur idenë për të cilën thuhej se ishte angazhuar ish-shefi i partisë së tij dhe ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Buja gjatë kësaj jave tha se – para një Asociacioni të Komunave serbe me përgjegjësi ekzekutive – është për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

Për ridefinim të kufijve së fundmi u deklarua edhe Dardan Molliqaj, kreu i partisë që po bën opozitarizmin më aktiv karshi Qeverisë Kurti.

Shkëmbimin e territoreve e ka kundërshtuar vazhdimisht LDK-ja, por ishte nënkryetari i këtij subjekti politik, Lutfi Haziri, ai që vazhdimisht e ka përkrahur këtë ide. E, kur ky sivjet e humbi kryetarllëkun në Komunën e Gjilanit, shefi i tij në parti, Abdixhiku, e bëri Hazirin përgjegjës për dialogun dhe bashkëpunimin regjional. A do të thotë kjo se caktimi i Lutës në këtë pozitë nga Lumiri është sinjal se LDK-ja po ndryshon kurs, se po rreshtohet pro opsionit të shkëmbimit të territoreve? Kryetari i ri, kursi i ri!

Nga partitë shqiptare në Kosovë, ndryshimin e kufijve e ka përkrahur edhe Lëvizja për Bashkim.

Janë AAK dhe LVV-ja të vetmet që as drejtuesit e tyre dhe as ndonjëri nga zyrtarët e lartë të këtyre dy subjekteve politike, asnjëherë nuk kanë mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve.

Për shumëkënd, opsioni i dhimbshëm i shkëmbimit të territoreve – ndarjes së Kosovës (dhënia e veriut për disa katunde të Luginës) – do të ishte opsioni më pak i dhimbshëm, sepse do ta hiqnim qafe njëherë e përgjithmonë problemin me Serbinë. Me këtë mbase do të shmangej edhe mundësia e krijimit të një Republika Srpska në Kosovë.

Mirëpo, një opsion i tillë doli të jetë i papranueshëm dhe u kundërshtua nga pjesa dërmuese e faktorit ndërkombëtar për shkak të efektit domino në rajon.

Prandaj, duket se opsioni i vetëm i dhimbshëm po mbetet Asociacioni.

Asociacioni, po thonë edhe amerikanët, duhet të bëhet.

Prandaj, i mbetet kryeministrit Kurti, por edhe gjithë spektri politik i Kosovës të ulen dhe të analizojnë mirë modelet që do t’i ofrohen nga i dërguari amerikan për Ballkanin.

Bëni diçka të mirë për këtë vend dhe jepni shpresë këtij populli, sepse e tha edhe  Escobar: “Status quo nuk po funksionon, siç po e shohim nga eksodi i vazhdueshëm i të rinjve që besojnë se e ardhmja e tyre është diku tjetër”.

Vështirë të funksionojë “mos na nguc, s’të ngucim”.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Premier League
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Kalo në kategori