Askush nuk e priste këtë: Anthony Joshua po kthehet në një ndeshje të pabesueshme ndaj Jake Paul

Boksieri i njohur britanik, Anthony Joshua, ish-kampion i botës në peshën e rëndë, do të përballet me influencerin Jake Paul më 19 dhjetor në Miami, në një ndeshje që ka ngjallur emocione të mëdha në botën e boksit.
Joshua pranoi sfidën e yllit të mediave sociale, i cili vitet e fundit i është përkushtuar boksit profesional. Me kushtet e dakorduara, ndeshja do të zhvillohet në 8 raunde dhe Joshua nuk duhet të peshojë më shumë se 111 kilogramë.
Jake Paul, 28 vjeç, ka pasur deri më tani 13 ndeshje të regjistruara si profesioniste, ku ka regjistruar 12 fitore dhe një humbje nga Tommy Fury.

Ai zhvilloi ndeshjen e fundit në qershor të këtij viti kundër Julio Cesar Chavez Junior, ndërsa një vit më parë fitoi kundër legjendës Mike Tyson në një përballje që tërhoqi shumë vëmendje. Megjithëse shumë prej ndeshjeve të tij nuk janë konsideruar si sfida të forta, ai ka treguar aftësi të dukshme boksierike dhe përparim të konsiderueshëm.
Anthony Joshua, 36 vjeç, rikthehet në ring pas më shumë se një viti dhe pas humbjes së rëndë në përballjen për titullin IBF kundër Daniel Dubois.
Ai e shikon këtë ndeshje kundër Paul si një hap përgatitor për vitin 2026, në të cilin ka plane të mëdha, përfshirë ndeshje të mundshme kundër Tyson Fury dhe në Arabinë Saudite.
Megjithëse nuk është më në formën e tij më të mirë të viteve të shkuara, Joshua mbetet një nga peshat e rënda elitare dhe ka mundësinë të rikthehet në fronin e botës së boksit.

Natyrisht, britaniku konsiderohet favorit i madh. Përparësitë në madhësi dhe përvojë janë të dukshme, dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores së Joshua do të konsiderohej një surprizë e madhe.
Jake Paul ka deklaruar se do të përpiqet të shokojë botën, por sfida ndaj një ish-kampioni të botës mbetet shumë e vështirë. Joshua ka një rekord të jashtëzakonshëm me 28 fitore dhe 4 humbje në karrierën e tij. /Telegrafi/


















































