ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka akuzuar VLEN-in se ka shndërruar institucionet shtetërore në vende punësimi për familjarët dhe të afërmit e funksionarëve të saj, duke ngritur dyshime për nepotizëm dhe ndikim politik në emërimet e fundit.

Në një kumtesë për media, ASH vlerëson se VLEN, në vend që të merret me çështjet kyçe për shqiptarët, po favorizon emërimet familjare në institucionet shtetërore.


“VLEN-i institucionet shtetërore i ka shndërruar në zyra punësimi për familjarët dhe të afërmit e funksionarëve të vet. Në këmbim të posteve dhe privilegjeve, përfaqësuesit e tij heshtin për degradimin e pozitës së shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për përfaqësimin e drejtë, për ligjin e lojërave të fatit, për provimin e jurisprudencës në shqip dhe për bllokimin e procesit eurointegrues”, thuhet në reagimin e partisë.

Si rastin më të fundit, ASH përmend deputeten dhe nënkryetaren e VLEN-it, Mimoza Musa, duke pretenduar se babai i saj, Arif Musa, edhe pse pensionist, është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut.

Partia rikujton se Arif Musa, si ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kishte mbrojtur më herët standarde të tjera lidhur me emërimet në institucionet publike. “Ironia është se Arif Musa, si ish-anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, dikur kërkonte rishqyrtimin e emërimeve dhe rihapjen e konkurseve aty ku konstatohej nepotizëm. Sot, të njëjtat parime duhet të vlejnë edhe për të”, thekson ASH.

Në reagim përmendet edhe Nusret Haliti, për të cilin ASH thotë se është nip i Arif Musës dhe aktualisht ushtron funksionin e drejtorit të Agjencisë për Komunikime Elektronike.

“Familjarizmi vazhdon edhe me nipin e tij, Nusret Haliti, i cili mban pozitën e drejtorit të Agjencisë për Komunikime Elektronike”, thuhet në kumtesë.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet dhe opinioni publik sqarime lidhur me procedurat e ndjekura për këto emërime. “Prandaj pyesim publikisht nëse ka pasur ndikim politik në këto emërime dhe nëse procedurat kanë qenë transparente dhe konkurruese”, deklaron ASH.

Në fund të reagimit, partia akuzon VLEN-in se nuk ka përmbushur premtimet për luftimin e nepotizmit. “VLEN-i nuk e luftoi nepotizmin. Vetëm priti radhën për të përfituar prej tij”, përfundon kumtesa e Aleancës për Shqiptarët.