Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me rezultatet e pranimit të nxënësve në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e shqiptarëve.

Sipas partisë, nga gjithsej 310 nxënës të pranuar, vetëm 9 janë shqiptarë, që përbën më pak se 3 për qind. ASH thekson gjithashtu se mësimi në këtë shkollë zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.


“Bëhet fjalë për një shkollë që përgatit kuadrot e ardhshme të policisë dhe ku të diplomuarve u garantohet punësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo do të thotë se përbërja e sotme e kësaj shkolle do të reflektohet drejtpërdrejt në përbërjen e policisë në vitet e ardhshme. Për më tepër, mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.Kërkojmë transparencë të plotë për konkursin, numrin e kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, mënyrën e vlerësimit dhe arsyet që kanë sjellë deri te një rezultat kaq skandaloz”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.