LAJMI I FUNDIT:

Artisti i harruar që frymëzoi Rembrandtin dhe Rubensin

Artisti i harruar që frymëzoi Rembrandtin dhe Rubensin
Piktura “Aurora” (c. 1606) e piktorit revolucionar Adam Elsheimer, që vdiq në moshën 32-vjeçare në varfëri

Nga: John Banville (titulli origjinal: Natural Light by Julian Bell review – the forgotten German artist who inspired Rembrandt and Rubens)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në fillim të një studimi të mrekullueshëm [Natural Light: The Art of Adam Elsheimer and the Dawn of Modern Science], tërheqës dhe iluminues, Julian Bell e shtron një pyetje të thjeshtë, një pyetje që do të përsëritet gjatë gjithë librit: “Ç’është natyra”? Po, e lehtë për ta shtruar si pyetje, por jo aq e lehtë për t’u përgjigjur. Natyrisht, vetë fjala “natyrë” vjen nga latinishtja natura, të cilën Bell e përkthen si “të lindurit” dhe të cilën e lidh me “fizikën” – nga greqishtja physis, “gjithçka që rritet” ose “çdo gjë që ka trup’”. Këtë version të natyrës e vendos kundrejt të mbinatyrshmes hyjnore dhe kundrejt mendjes dhe ndërgjegjes.


Tashti jemi në faqen dy. Megjithatë, nuk duhet të shqetësohemi. Teksa vazhdojmë, gjërat do të bëhen më të thjeshta. Duke i pasur parasysh paraardhësit e autorit të [shtëpisë botuese] Bloomsbury – është i biri i historianit të artit Quentin Bell që është nipi dhe biografi i Virginia Woolfit – mund të presim dhe mund të druajmë për një stil të shtirë dhe për egoizëm të pakuptueshëm. Asgjë nga këto. Drita natyrore është aq e lehtë dhe e natyrshme, siç e ofron subjekti – një “udhëtim misterioz” në të cilin do të ndeshemi me pamje të mrekullueshme dhe me të cilin do t’i zbulojmë thesaret. Në disa vende është edhe zbavitëse.

Adam Elsheimer nuk mund të jetë emër i njohur në çdo familje. Megjithatë, ai ndikoi te disa nga artistët më të mëdhenj të kohës së vet dhe të ditëve në vijim. Këtu përfshihen Rembrandti dhe Rubensi, si dhe, në mënyrë të habitshme, artistët e oborrit të Perandorisë Mogule. I riu Samuel Beckett, vëren Belli, e përshkroi atë në mënyrë të përmbledhur, siç edhe do të prisnim kur më 1936 ai i shkroi një miku se “Elsheimeri është i duhuri”.

Ky është piktori për të cilin Bell shkruan: “Dua të nxjerr në pah jo vetëm lirizmin dhe humanizmin e pikturave të tij, por kompleksitetin e të menduarit të tij dhe mënyrat se si ai ndërlidhet me debatet rreth natyrës që qarkullonin në kohën e tij”.

Elsheimer lindi në Frankfurt dhe e kaloi pjesën më të madhe të jetës së vet të shkurtër si piktor, në Romë – ku vdiq në varfëri në vitin 1610, në moshën 32-vjeçare. Një nga shumë aspektet e jashtëzakonshme të pikturave të tij është madhësia. Shumica e tyre janë, siç thotë autori, “më pak se gjerësia e një ekrani mesatar iPad“. Në Romë ishte i njohur, kështu që një udhëtar anglez shkroi në një italishte paksa të lëkundshme, diçka si, diavolo per gli cose piccole – djalli për gjërat e vogla.

Pas një hyrjeje të shkurtër, Belli ia kushton kapitullin e tij të parë, Pas kodrës, një imazhi të vogël, 225 milimetra të gjerë, të titulluar Aurora, të pikturuar – siç ishin shumë prej kryeveprave xhevahire të Elsheimerit, në një fletë bakri të përgatitur duke e lëmuar me rërë dhe më pas duke fërkuar me lëng hudhre. E, çfarë do të ishte bota pa hudhër? E paraqet një peizazh italian mbi të cilin po shpërthen një agim azur me retë me pikla. Është, shkruan Bell, “një pikturë e vëmendshme ndaj gjendjes shpirtërore dhe se si kjo gjendje është e lidhur me disa kushte të kohës, dritës dhe hapësirës”.

Por, gjithçka nuk është ashtu siç duket në këtë skenë të ndritshme ose, të paktën, nuk është e gjitha siç ishte dikur. Në vitin 1974, na tregon Belli, restaurator i artit Knut Nicolaus i publikoi rezultatet e hulumtimit me rreze infra të kuqe, që ai i kishte bërë në fletën e bakrit. Kjo tregoi se një pemë e ndritshme me gjethe, që rritej në një kodër mbi një fermë të largët, nuk ishte pemë, por “silueta e një gjiganti që shtynte kokën dhe shpatullat e veta brutale, fillimisht mbi shpatin e kodrës me qëllim të kërkimit dhe kërcënimit”. Është Polifemi, gjigandi me një sy, i tërbuar në mënyrë vrastare me çiftin e arratisur të të dashuruarve, të Acisit dhe Galateas – kjo e fundit, objekt i dashurisë së paarritshme të gjigantit – që u shfaq në këndin e majtë të figurës dhe që më vonë u fshi.

Pse gjurmët e një pikture të mëparshme? Elsheimeri kishte vendosur të ilustronte një nga mitet e dhunshme seksuale greke. “Në një moment u përcaktua se, megjithatë … dhuna e pashmangshme e prish dhe e trazon agimin e ndritshëm. Drita dhe hapësira, pas rishqyrtimit, do të mjaftonin”. Këtu e kemi temën qendrore të librit, që është mënyra në të cilën piktorët në fillim të shekullit XVII, me Elsheimerin në pararojë, nisën që me zell të lejojnë që vetëm peizazhi, me figurat e vogla njerëzore ose pa to, të shpreh synimet estetike të piktorit. Me Aurorën, shkruan Belli, “mundësitë për peizazhin … marrin një kthesë të panjohur”.

Më parë, shumica e artistëve dhe e klientëve të tyre do të pajtoheshin me Michelangelon se pikturës pa figura i mungonte “substanca dhe energjia” dhe nuk mund të ishte më shumë sesa, thënë në mënyrë më pak fyese, një dekoracion. Megjithatë, Elsheimeri dhe rrethi i tij në Romë e shtynë agjentin njerëzor gjithnjë e më shumë në periferi, dhe shpeshherë krejt jashtë kornizës. Kjo nuk e kishte qëllimin që ta zvogëlonte aspektin njerëzor të artit piktural, por që të përpiqej të hetonte nga afër se çfarë do të thotë të jesh njeri dhe në natyrë, apo kundër ose në mëshirë të natyrës, sipas kuptimit të “sublimes” së Edmund Burkeit.

Në këtë përpjekje, Elsheimeri u inkurajua dhe u mbështet nga përparimet bashkëkohore në “shkencën natyrore”, në veçanti nga zbulimet astronomike të bëra nga dijetarët si Tycho Brahe, Johannes Kepler dhe veçanërisht Galileo Galilei. Zhvillimi i teleskopit tregonte se nuk ishte më i qëndrueshëm koncepti aristotelian i universit të palëvizshëm dhe të pandryshueshëm. Mund të shfaqen yjet e reja, Jupiteri kishte hëna, Toka nuk është qendra e çdo gjëje. Gjithçka është lëvizje, gjithçka është ndryshim – siç na kanë thënë para-sokratikët, shumë kohë më parë.

Aq shumë ishte i prirë Elsheimeri për astronominë e re, saqë në atë që do të ishte vepra e tij e fundit dhe padyshim kryevepra e tij më e madhe, Fluturimi në Egjipt i vitit 1609 – një tjetër skenë diagonale, si Aurora – qielli i jashtëzakonshëm i natës, që i zbeh figurat njerëzore në skenë, përshkruan qiellin e vërtetë, me hënën, yjet dhe planetët. Në Fluturim, Elsheimeri merret me pafundësinë e botës. Bell shkruan: “Braktisja, ndoshta” – ajo “ndoshta” nuk është e parëndësishme – “nga përpjekja e tij për t’iu drejtuar botës sociale dhe politike … ai tashmë vendosi që në vend të kësaj t’i drejtohej kozmosit”. /Telegrafi/