Arta Bajrami dhe Monika Salihu i japin fund miqësisë dhe bashkëpunimeve - nuk ndiqen as në rrjete sociale

Miqësia e shumëpërfolur dhe bashkëpunimi muzikor mes këngëtareve Arta Bajrami dhe Monika Salihu duket se tashmë i përket së kaluarës.
Dyshja që vitin e kaluar krijoi një raport të afërt personal dhe profesional, i ka dhënë fund papritur kësaj lidhjeje, dhe burime të emisionit ‘Prive by Liberta Spahiu’ zbulojnë prapaskenat e këtij ndryshimi të befasishëm.
Gjithçka nisi me një afrim të natyrshëm mes dy artisteve, që kulmoi me realizimin e një potpurie festive në fundvitin e kaluar.
Performanca u prit mirë nga publiku dhe krijoi përshtypjen se ky do të ishte vetëm fillimi i një bashkëpunimi më të gjerë artistik mes tyre. Ato u panë shpesh bashkë në rrjete sociale, në dalje publike, madje edhe në momente familjare, duke lënë të kuptohej se kishin krijuar një miqësi të sinqertë dhe të fortë.
Por sipas Prive, këtë dhjetor nuk do të ketë më as potpuri, as foto të përbashkëta dhe as dedikime në Instagram.

Raportet mes dy këngëtareve janë ftohur deri në pikën ku kanë fshirë njëra-tjetrën nga rrjetet sociale, një shenjë e qartë se lidhja e tyre personale ka marrë fund.
‘Prive by Liberta Spahiu’ bën të ditur se shkak i prishjes së marrëdhënies ka qenë një hatërmbetje për çështje profesionale, konkretisht për bashkëpunime.
Asnjëra prej tyre nuk ka reaguar publikisht mbi këtë situatë, duke zgjedhur heshtjen, ndonëse fansat kanë vënë re mungesën e komunikimit dhe ndërveprimit të zakonshëm mes tyre. /Telegrafi/



























































