LAJMI I FUNDIT:

Arrijnë në Kosovë mbi 1,500 pako me fletëvotime nga diaspora – mbi 5 mijë votues më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017

Arrijnë në Kosovë mbi 1,500 pako me fletëvotime nga diaspora – mbi 5 mijë votues më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017

Në postën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë arritur 1 mijë e 560 pako të supozuara me fletëvotime për zgjedhjet e 17 tetorit.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili në një intervistë për Telegrafin tha se deri më 15 tetor do të pranojnë fletëvotimet nga diaspora.


Elezi gjithashtu tha se tashmë janë në fazën e fundit të përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“KQZ është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të 17 tetorit, kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në ditën zgjedhjeve dhe natyrisht që nga momenti i shpalljes së këtyre zgjedhjeve, KQZ ka vazhduar fillimisht me miratimin e planit operacional dhe kryerjen e detyrave të cilat janë listuar në këtë plan operacional. Tashmë jemi në fazën përfundimtare të emërimit të anëtarëve të këshillit të vendvotimit, pra janë persona të cilët angazhohen në ditën e zgjedhjeve si komisioner, pra këtu bëhet fjalë për mijëra persona në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës dhe pas kësaj do të thotë emërimi i këtyre anëtarëve do të ndodhë në mbledhjen e KQZ-së që do të zhvillohet ditën e premte”, deklaroi ai.

Elezi deklaroi se janë duke pritur edhe aplikimet e mediave për tu akredituar si vëzhgues.

“KQZ po ashtu është duke pritur edhe aplikimet e mediave për tu akredituar si vëzhgues apo për të përcjellë procesin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve apo edhe pas kësaj dite, në qendrën e numërimit dhe rezultateve, afati i fundit për media për akreditim është 2 tetor”, shtoi ai.

Elezi tregoi se për zgjedhjet e 17 tetorit, votues të suksesshëm nga diaspora janë regjistruar 15 mijë e 532, kurse kanë refuzuar 3 mijë e 320 aplikime.

Ky numër është më i lartë krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017 kur në atë kohë kemi pasur rreth 10 mijë e 500 aplikues që ish regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës, por është numër dukshëm më i ulët krahasuar me shifrat e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

I pyetur se a mundet një votues nga diaspora që është regjistruar suksesshëm të vjen dhe të votojë në Kosovë, Elezi tha se kjo nuk është e mundur pasi emri i tyre nuk figuron në listat e votuesve.

“Të gjithë votuesit e regjistruar suksesshëm nga diaspora, kanë kërkuar të votojnë përmes postës, emrat e tyre largohen nga lista e votuesve, të njëjti nuk është e mundur të vijnë dhe të votojnë në Kosovë pasi që nuk është emri i tyre në lista. Por kjo nuk vlen për ata aplikues që janë refuzuar të regjistrohen suksesshëm për zgjedhje”, u shpreh ai.

Valmir Elezi, KQZ

Elezi po ashtu bëri të ditur se tashmë në Slloveni ka përfunduar shtypja e fletëvotimeve  për zgjedhjet lokale.

“Në Slloveni ka përfunduar shtypja e fletëvotime. Janë shtypur 3 milionë e 397 mijë e 200 fletëvotime, pra fletëvotimet për kryetar dhe asamblistë”, potencoi ai.

Sa i përket votimit në gjendje të pandemisë, Elezi tha se për stafin zgjedhor janë disa masa, kurse votuesit vetëm duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse kundër COVID-19.

“Stafi zgjedhor duhet të ketë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19, ose, testin RT-PCR negativ për COVI-19 jo më i vjetër se 72 orë, dëshminë se ka kaluar virusin, testin e shpejt antigjen jo më të vjetër se 48 orë”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda vendi është 1 milion e 885 mijë e 448 votues. /Telegrafi/