Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë njofton se ka arrestuar një person i dyshuar për vjedhje. Sipas njoftimit për medie, policia ka trajtuar disa raste të veprave penale të vjedhjes së rëndë dhe vjedhjes, të cilat dyshohet se janë kryer në periudhën 19.04.2026 – 25.04.2026 në lokacione të ndryshme.

Sipas hetimeve fillestare, në këto raste janë vjedhur rimorkio, aparate për pastrim të automjeteve, mjete pune, derivate të naftës dhe sende të tjera.


“Pas një pune intensive hetimore të zhvilluar nga hetuesit e Stacionit Policor në Pejë, më 27.04.2026 është identifikuar dhe arrestuar një person i dyshuar, i cili dyshohet për përfshirje në kryerjen e këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, thuhet në njoftim.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me aktvendim të prokurorit kompetent është ndaluar për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, njofton policia e Pejës.