Arrestohen katër persona në Gjakovë për shitblerje të narkotikëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të shitblerjes së narkotikëve, pas bastisjeve të realizuara sot në Gjakovë, ku janë konfiskuar sasi të konsiderueshme të substancave narkotike, armë dhe para të gatshme.
Sipas Policisë, aksioni është zhvilluar më 05 qershor 2026 nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), në kuadër të veprimeve policore për hetimin dhe parandalimin e trafikimit me narkotikë, ndërsa bastisjet janë kryer në shtëpi dhe lokale përcjellëse të disa personave të dyshuar, mbi bazën e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Gjatë bastisjeve, në cilësinë e provave materiale, Policia ka sekuestruar rreth 293.96 gram kokainë, rreth 124 gram heroinë, rreth 13 gram marihuanë, si dhe një substancë të dyshuar narkotike të llojit të panjohur në peshë rreth 116 gram.
Po ashtu, janë konfiskuar një armë zjarri e shkurtë me dy fishekë, një pushkë ajrore pa numër serik, si dhe 90 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në njoftim thuhet se janë sekuestruar edhe para të gatshme në vlerë 6,536.76 euro, 474 dollarë amerikanë dhe 60 franga zvicerane, si dhe pesë telefona mobil të llojeve të ndryshme.
Katër të dyshuarit, sipas Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë për intervistim, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e angazhuar në luftën kundër veprave kriminale, veçanërisht kundër abuzimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, duke u shprehur e përkushtuar për garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/


































