Një shtetas i Kosovës është arrestuar në Selanik të Greqisë, në kuadër të një operacioni kundër trafikimit të narkotikëve, i zhvilluar falë bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se operacioni është rezultat i një hetimi disamujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mes institucioneve të tre vendeve.


Në mesin e dy personave të arrestuar nga autoritetet greke ndodhet edhe shtetasi kosovar me inicialet A.G.

Gjatë operacionit në Selanik, policia greke ka sekuestruar 324 kilogramë substancë narkotike të llojit kanabis.

Sipas Prokurorisë Speciale, Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë kontribuar në këtë proces përmes veprimeve hetimore dhe shkëmbimit të informacioneve me autoritetet partnere.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojnë veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit./Telegrafi/