Të enjten është arrestuar në Pejë, një i dyshuar për vrasjen e Senad Bogut i lindur në vitin 1959, që kishte ndodhur një muaj më parë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar prokurorja Valbona Dishaj Haxhosaj

Dishaj-Haxhosaj tha se i dyshuari do të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe për të do të kërkohet edhe caktimi i masës së paraburgimit.

“Sot është arrestuar një person i dyshuar, me incialet A.B nga Peja, i dyshuar për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ ndaj viktimës Senad Bogu. Vrasja ka ndodhur më 05.09.2020. Arrestimi i tij është bërë në bashkëpunim me hetimet rajonale në Pejë. Pra, pas një punë operative që kemi bërë, kemi arritur ta identifikojmë dhe arrestojmë të dyshuarin”, tha ajo për Telegrafin.

Në lidhje me motivin e vrasjes, Dishaj-Haxhosaj tha se është herët të flitet.

Viktima kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga mjeti i mprehtë-thika, ndërsa krimi dyshohet se ishte kryer në shtëpinë e tij. /Telegrafi/