Arrestohen tre persona në Pejë, Policia u sekuestron armë

Tre persona janë arrestuar më 10.07.2025 në Pejë nën dyshimet për veprat penale “mbajtje nё pronёsi, kontroll ose posedim tё paautorizuar tё armёve” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës dhe bëri të ditur se të njëjtit janë arrestuar pas një raportimi për të shtëna me armë zjarri në bjeshkën e Strellcit më datë 08.11.2024.
“Njёsitet relevante tё Stacionit Policor nё Deçan kanë shkuar nё atё lokacion në bjeshkën e Strellcit dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar katërmbëdhjetë (14) gëzhoja cal. 9 mm, si prova materiale”- thekson policia.
Pas arrestimit të tyre, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është kryer kontroll në shtëpitë e personave të dyshuar aty janë gjetur dhe sekuestruar armë të tipit pistoletë dhe karikatorë.
Ndër të tjera, PK njofton se me vendim tё prokurorit tё shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
















































