LAJMI I FUNDIT:

Arifi kërkon rritjen e pagave për sektorin publik, kjo është përgjigja e kryeministrit Mustafa

Arifi kërkon rritjen e pagave për sektorin publik, kjo është përgjigja e kryeministrit Mustafa

Implementimi i marrëveshjes kolektive dhe i ligjeve, sidomos në sektorin privat, përvoja e punës për vitet 90–ta, si dhe eliminimi i kategorizimit të pagës minimale, ishin disa nga temat që u diskutuan në një takim të mërkurën mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, përfaqësuesve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), si dhe atyre të sindikatave të veçanta në kuadër të BSPK-së.

Kryeministri Mustafa, pas takimit tha se nuk do të ketë më kategorizim të pagës minimale, ashtu siç ka qenë deri më tani.


“Paga minimale duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, pa marrë parasysh moshën. Tani flasim për orientimin tonë që paga minimale të jetë prej 170 euro. Pastaj, kur të llogarisim mekanizmat e përllogaritjes së pagës minimale, atëherë do të shohim se a mund të lëvizim dhe sa mund të lëvizim”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa sa i përket implementimit të marrëveshjes kolektive, Mustafa tha se janë marrë vesh që kontrata e ardhshme, e cila do të jetë vazhdimësi e kësaj kontrate kolektive, të punohet bashkërisht ndërmjet dy ekipeve, në mënyrë që të gjinden zgjidhje, të cilat do të implementohen në mënyrë të plotë në të ardhmen.

Ndërkaq kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, i cili kërkoi mes tjerash nga kryeministri edhe gjetjen e një zgjidhje për objektin ku operon BSPK, tha se shpreson që ky takim do të ketë rezultate për çështje që ata kanë ngritur, e që e shqetësojnë BSPK-në.

Në të kundërtën ai tha se do t’i përdorin dhe metodat tjera, të cilat u lejohen me ligj, për realizimin e kërkesave të tyre.

Arifi, po ashtu, tha se kishin edhe një kërkesë për ngritjen e pagave, të cilat sipas tij për këto tri vite nuk janë rritur fare.

Kryeministri Mustafa tha se rritja e pagave do të ndodhë karshi rritjes ekonomike, në harmoni me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe sektorin privat, me qëllim që të mos thellohen diferencat mes sektorit publik dhe atij privat.

“Natyrisht, se lëvizjen e pagave, duhet ta bëjmë në harmoni me FMN-në, sepse kemi marrëveshje me ta. Dhe, po ashtu, do ta bëjmë në harmoni dhe me sektorin privat, në mënyrë që mos të thellojmë diferencat mes sektorit publik dhe sektorit privat, sepse kemi pastaj probleme të lëvizjes veçmas të ekspertëve dhe të tregut të punës, kah sektori publik, në krahasim me atë që ne duhet t’i japim përparësi sektorit privat. Por, gjithsesi, mbi bazën e kapaciteteve tona, do ta trajtojmë edhe këtë me Ministrinë e Financave dhe me të gjithë partnerët e tjerë”, tha Mustafa. /kp/Telegrafi/