Aprilia shkëlqen në Aragon: Bezzecchi në podium, Martin në top pesë

Aprilia Racing e ka mbyllur fundjavën në MotorLand Aragon me një tjetër podium, pasi Marco Bezzecchi u rendit i treti në garën kryesore të MotoGP-së.
Bezzecchi, i cili e nisi garën nga pole position, ishte protagonist në luftën për fitoren gjatë xhirove të para. Piloti italian qëndroi në mesin e pretendentëve kryesorë, por në fund e përfundoi garën në pozitën e tretë.
Ky ishte podiumi i dytë për Bezzecchin gjatë fundjavës në Aragon, pas suksesit të arritur edhe në garën Sprint.
Ndërkohë, Jorge Martin zhvilloi një garë të qëndrueshme, duke qëndruar vazhdimisht në top pesëshe. Spanjolli e kaloi vijën e finishit në vendin e pestë dhe vazhdon të kryesojë renditjen e kampionatit me 256 pikë.

Marco Bezzecchi
"Në përgjithësi, ishte një fundjavë pozitive dhe jam jashtëzakonisht i lumtur. Erdhëm në Aragon me pak pritshmëri, pasi vitin e kaluar kishim nisur nga pozitat e prapme. Kisha zhvilluar dy gara të mira, por të ishe konkurrues ishte diçka krejt tjetër”.
“Megjithatë, këtë fundjavë isha i shpejtë – i pari të premten dhe pole position të shtunën. Në gara më mungonte diçka, por të jem i sinqertë, as që mendoja se do të isha në gjendje të luftoja për fitoren, ndaj jam mjaft i lumtur. I gjithë ekipi im ishte fantastik".
Jorge Martin
"Jam i kënaqur me fundjavën. Ndjesitë në garë ishin të ngjashme me ato të Sprintit, por mendoj se kemi bërë ende një hap përpara. Është e vërtetë që u ndjeva më mirë gjatë garës, aq sa xhiron time më të shpejtë e realizova në fund”.
“Ishte një fundjavë ku ndërtuam besimin në një pistë që është jashtëzakonisht e komplikuar për mua. Arritëm të përmirësoheshim në çdo sesion, duke bërë hapa përpara dhe duke kuptuar se çfarë mund të na ndihmonte në pistë".
Massimo Rivola
"Një rezultat i mirë i ekipit në një pistë që nuk është veçanërisht e favorshme për ne. Jorge e pati të vështirë të gjente ndjesinë e duhur gjatë gjithë fundjavës, por, pavarësisht kësaj, ai arriti ta maksimizojë rezultatin”.
“Marco siguroi dy podiume shumë të vlefshme, pavarësisht vështirësive fizike. Edhe pole position i tij ishte një vepër magjie, që besoj se do të mbahet mend për një kohë të gjatë”.
“Jemi të vetëdijshëm se pistat e ardhshme, të paktën në letër, nuk janë të preferuarat tona, por mezi presim të shkojmë në Misano dhe të ndiejmë mbështetjen e tifozëve tanë italianë".
Aprilia vazhdon të jetë një nga emrat e rëndësishëm në botën e motociklizmit, ndërsa prania e markës në Kosovë mund të gjendet edhe përmes Auto Mita, përfaqësuesit të autorizuar të Aprilia-s në vend. /Telegrafi/













































