LAJMI I FUNDIT:

Antropologia e pamposhtur

Antropologia e pamposhtur

Nga: Meri Lalaj

Rreth librit “Mbijetesa” të autores Clarissa de Waal


Brezi im e ka mësuar historinë e Shqipërisë në mënyrë të përdhunshme dhe të përçudnuar. Më e keqja po ndodh edhe tani, në këto vite, kur ngjarje që ne i kemi jetuar ditë pas dite i lexojmë nëpër gazeta të sajuara, të përtypura dhe të mbllaçitura nga njerëz, të cilët duan që historia të shkruhet jo ashtu siç është, por ashtu siç iu leverdis disave. Vetëm se historia kurrë nuk të fal. Sidoqoftë pas viteve 1990, unë kam filluar të mësoj historinë e kombit tim prej librave të: Tajar Zavalanit, Edith Durhamit, Eqrem bej Vlorës, Dhimitri Pilikës e të tjerëve.

Duke filluar nga viti 1991 kombi shqiptar, shqiptarët, kudo brenda dhe përtej kufijve shtetërorë kanë jetuar nëpër një vorbull të pafund ngjarjesh dramatike dhe për to janë shkruar libra; disa duke iu përshtatur përkatësive partiake (sepse nuk heqim dot dorë lehtë prej vargonjve të partive!), të tjerë janë të cekët duke ckërfitur vetëm cipën e hollë, duke prekur vetëm në sipërfaqe pa iu futur problemeve në thellësi, por ka edhe libra që u bëjnë nder autorëve, të cilët i kanë shkruar.

Një ndër këta libra është “Mbijetesa” me nëntitull (Shqipëria në postkomunizëm) shkruar prej antropologes angleze Clarissa de Waal, profesoreshë në Universitetin Newnham të Kembrixhit ku jep lëndën e Antropologjisë Sociale. Autorja e librit ka shkelur për herë të parë në Shqipëri nga fundi i dhjetorit 1991, duke ardhur prej Greqisë në fillim për në Dropull dhe i ka ndjekur zhvillimet e jetës shqiptare pas përmbysjes së regjimit komunist për më shumë se një dhjetëvjeçar kryesisht në veri të Shqipërisë. Nuk ka historian apo njeri të shkencave shoqërore ose (larg qoftë!) projekt të ndonjë Organizate Joqeveritare tek ne që ta njohë dhe ta paraqesë para lexuesit realitetin shqiptar të këtyre viteve sikurse bën zonja Clarissa de Waal. Autorja analizon ngjarjet që zunë fill në vitin 1991-1992 dhe shkruan: “Ajo ishte një çmenduri shkatërrimi që shtriu përtokë pemët dhe vreshtat, shkatërroi ndërtesat e kooperativave dhe makineritë, prishi mijëra serra dhe sisteme ujitjeje, theu xhamet e fabrikave dhe të ndërtesave të apartamenteve. ‘Të fillojmë nga zeroja’ ishte pikërisht parrulla që bërtitej me entusiazëm nga vandalët…” (fq. 14)

E më tej autorja vijon më me hollësi duke analizuar gjithçka, jo se është nën mbrojtjen e dikujt, që po e shoqëron rehat-rehat me makinë sa për t’u hedhur një sy këtyre fshatrave të thellë malorë shqiptarë, por duke pritur me orë të tëra për të udhëtuar me autobusë apo furgonë shkatarraqë duke patur pas vetes bijën dymbëdhjetëvjeçare, Soula, e duke jetuar sipas rastit në shtëpi fshati pranë haurit të bagëtive mes plehrave, çimkave dhe pleshtave, apo në qytet në apartamente të rrënuara pa ujë dhe pa energji elektrike, pa komunikim telefonik, sepse puna e shkencëtares kërkon përkushtim dhe vetëm përkushtim.

Ajo duhet të jetojë e të mbijetojë si këta njerëz tek të cilët ka bujtur. Hera herës bën krahasime midis atyre që sheh me sytë e vet dhe çfarë ka përshkruar gati një shekull më parë Edith Durham, si për shembull lidhja e foshnjës kopanec në djep, të cilin ndodh që e tund edhe antropologia, apo kostumet mirditore. Por, nëse në librat e kësaj të fundit gjejmë një Shqipëri ekzotike, një vend joshës për nga bukuritë natyrore dhe mënyrat e jetesës tek libri “Mbijetesa” gjithçka është shkruar me një vërtetësi tronditëse sepse pikërisht në pragshekullin XXI mu në mes të një Evrope të qytetëruar ia del të mbijetojë edhe një popull, që ka vuajtur për pesëdhjetë vite nën skëterrën e zezë komuniste

Me sy të mprehtë dhe të ftohtë mbështetur tek çdo gjë që sheh dhe dëgjon, autorja na e jep si në pëllëmbë të dorës jetën shqiptare, vë theksin mbi politikat e gabuara dhe të nxituara të qeverisjes së atyre viteve, arsyeton se ekonomia dhe jeta e këtij vendi mbahet gjallë nga emigrantët, që punojnë nëpër botë, nga ana tjetër lëvizja e lirë e njerëzve nga fshatrat malore për në zonat kodrinore, fushore apo drejt qyteteve bëhet në mënyrë kaotike gjë që sjell çrregullime në krejt sistemin jetësor. Në libër përshkruhet viti 1997 si një vit i kthimit prapa: me njerëz të armatosur, armët i kanë rrëmbyer nga depot, fëmijë të shpërfytyruar theksohet se “ecim, por jo përpara” dhe kudo vazhdon të jehojë parrulla “s’ka shtet, s’ka ligj”. Ajo vendos ballë për ballë ligjeve të shtetit (nëse ka ligje) Kanunin dhe duke analizuar nenet e tij sqaron gjakmarrjen dhe hakmarrjen, pikërisht këto plagë që u hapën pas viteve ’90-të, të marrësh gjak sipas rregullave të përcaktuara nga Kanuni është tjetër gjë ndërsa të marrësh hak do të thotë sipas ligjeve të Malësisë të ndysh duart duke vrarë gra dhe fëmijë të pafajshëm.

Puna e saj kërkimore përqendrohet në Mirditë mes njerëzve dhe shkruan me shumë dashuri për këtë krahinë aq të diskriminuar në regjimin komunist. “Mirdita të jepte një dukuri mbijetese si një nga rajonet më të varfëra të Shqipërisë. Nga ana tjetër ishte një zonë me interes etnografik të veçantë. Ekzistojnë dy tipare kryesore. Tipari i parë Mirdita është tërësisht katolike dhe tipari i dytë zbatimi me rreptësi i trungut të së drejtës kanunore, të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit.” (fq. 89-90)

Studiuesja Clarissa de Waal përshkruan Oroshin, Bulsharin, Rrëshenin mënyrën e jetesës në familje të mëdha në fshat dhe në apartamentet si furrikë të qytetit të vogël Rrëshen. Ndërsa mban shënime për shpirtin e pavarur të mirditorëve, gjithashtu merr pjesë edhe në gjithçka të jetës së tyre duke kapërcyer lumin Fan gur mbi gur apo duke mbajtur thasët me grurë për t’i shpënë që të bluhen në mulli, duke mbledhur dru për zjarrin dhe nga ana tjetër duke vëzhguar ritet e fejesës, të dasmës, të vdekjes, duke parë pajat e vajzave, që do martohen duke fotografuar kostumet e mirditoreve të moshuara dhe nuseve. Nuk i shpëton pa shkruar edhe për prostitucionin, këtë plagë të re të shoqërisë tonë, duke sjellë shembuj e duke analizuar shkaqet.

Zonjën Clarissa de Waal e takova në muajin gusht në Kembrixh, në kolegjin ku jep mësim, mbi tryezën e saj të punës ndodhej një fjalor i madh persisht-anglisht si edhe libri “Irani po zgjohet” i gjykatëses Shirin Ebadi, e cila ka fituar çmimin “Nobel” për paqen në vitin 2003. Antropologia, nënë e pesë fëmijëve, po mëson persisht sepse po përgatitet për të vajtur në Iran me një projekt që ka të bëjë me kushtet dhe jetën e grave të atij vendi. Do doja t’i uroj suksese në projektin e saj.

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
Kalo në kategori