Anibar mban panelin “Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit”

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar, është mbajtur paneli “Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit”, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që animatorët nga Kosova dhe Ballkani kanë për të çuar projektet e tyre të animuara përtej kufijve lokalë.
Ky program u zhvillua si pjesë e iniciativës Ask the Pro, duke ofruar një hapësirë bashkëbisedimi dhe shkëmbimi idesh për krijues të rinj dhe profesionistë të fushës, të cilët patën mundësinë të
dëgjojnë nga zëra të rëndësishëm të industrisë globale.
Diskutimi, i cili u hap me pyetjen: “Çfarë e pret të ardhmen e animacionit?”, u moderua nga Aneta Ozorek, Drejtoreshë Artistike e Festivalit Kaboom në Holandë, ndërsa pjesë e panelit ishin:
● Corinne Destombes, Shefe e Zhvillimit në studion franceze Folimage
● Britt Raes, regjisore dhe ilustratore nga Belgjika
● Olivier Catherin, etnolog dhe përkrahës i animacionit në Francë
● Aaron Wood, bashkëthemelues i “Slurpy Studios” në Londër
● Lucia Dubravay Trautenberger, menaxhere kulturore dhe gazetare
Sipas Olivier Catherin, financimi i animacionit në nivel evropian nuk paraqet ndonjë problem të madh, megjithëse sfidat ekzistojnë. Ndërkaq, Corinne Destombes theksoi ndryshimet e fundit në treg: “Para një viti do të thoja se kompanitë e mëdha e kanë më të vështirë të përshtaten sesa ato të vogla. Sot ka më shumë fleksibilitet, por sigurimi i financimit mbetet ende një sfidë".
Nga perspektiva sllovake, Lucia Dubravay Trautenberger foli mbi realitetin sfidues të vendeve më të vogla, duke theksuar se “po mësojmë si të shesim filma, e fillojmë që nga fillimi. Ka
shumë institucione arsimore, dhe megjithëse është shumë e vështirë, duhet të mendojmë strategjikisht për të rritur rrjetet tona".
Sipas regjisores belge Britt Raes, vështirësitë ekonomike përplasen me pasionin krijues, dhe fatkeqësisht “çmimet rriten, ndërsa fondet jo.”
Në fund, Aaron Wood i nxiti të gjithë të mendojnë përtej kufijve, duke i ftuar të shohin të ardhmen si një hapësirë ku mund të bashkëpunojnë të gjithë dhe të tejkalojnë lokalizmin në industrinë e animacionit.
Për krijuesit e rinj nga Kosova, panelistët theksuan nevojën për edukim mbi industrinë. “Një nga problemet më të mëdha është se shumë njerëz në industrinë e filmit nuk e kuptojnë të gjithë ekosistemin, si funksionon financimi, si të navigosh në festivale, si të prezantosh projektet në mënyrë efektive".
Seanca përfundoi me një bashkëbisedim të hapur ndërmjet panelistëve dhe animatorëve të rinj kosovarë, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe kërkuan këshilla konkrete.
























































