LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Transferimet politike mund të mos sjellin ndryshime

Analistët: Transferimet politike mund të mos sjellin ndryshime

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Epoka e re” se aderimet e reja në subjektet e caktuara politike mund të mos sjellin rezultate spektakulare. Madje ai e ka quajtur proces të keq kalimin e zyrtarëve nga shoqëria civile në jetën politike.

“Tash kalimet politike që po bëhen pak a shumë si transferimet në sport po janë atraktive sa herë që po mbahen zgjedhjet në Kosovë ose një kohë para zgjedhjeve. Por deri tash nuk është se kanë dhënë ndonjë rezultat spektakular ata që kanë kaluar nga OJQ-të e ndryshme në institucione, me përjashtim të disa individëve. Mua po më duket proces i keq ky kalim prej OJQ-ve apo sferave të tjera në politikë. Zakonisht në botë ndodh që prej politikës të kthehen në OJQ dhe institute të caktuara për ta dhënë përvojën e qeverisjes. Më shumë po më duket si një ‘shitblerje’ pa ndonjë ndikim të madh praktik. Po të kishim shumë zona zgjedhore, do të mund të dihej se ai që shkon i ri në parti sa vota do të mund t’i sillte”, është shprehur Tahiri.


Ndërsa njohësi tjetër i rrethanave politike, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Epokën e re” se suksesi i prurjeve të reja në subjekte politike do të varet nga shumë faktorë.

“Se sa mund të kenë ata ndikim dhe efekt në rezultatet e përgjithshme të subjektit politik përkatës është çështje që varet nga shumë faktorë. Fillimisht varet nga rrethi shoqëror që kanë ata individë, pastaj nga besimi dhe autoriteti që kanë te qytetarët. Nëse kanë autoritet dhe gëzojnë besim, ata mund të marrin më shumë vota. Po ashtu, ata mund të kenë sukses nëse nuk keqpërdoren votat qoftë në nivel të procesit, qoftë në nivel të subjektit të vet politik”, ka theksuar Baraliu.