Njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, ka thënë të hënën se fushata parazgjedhore për kryetar të Drenasit nuk pritet të përcillet me tensione.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se PDK-ja është favorite absolute përballë të tjerave për faktin se buron nga rajoni i Drenicës.

“Pres që fushata parazgjedhore do të kalojë pa tensione. Meqë PDK-ja e ka origjinën nga ky regjion, është favorite absolute përballë të tjerave, të cilat i kanë gjasat më të vogla. Po ashtu, të gjitha gjërat janë rregulluar në taborin e PDK-së që të mos ketë përçarje. Pra, PDK-ja është mobilizuar shumë edhe për shkak të dorëheqjes së ish-kryetarit të mëhershëm, dhe përkrahja po vjen edhe nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, me ç’rast dy fabrika të reja priten të funksionalizohen si rezultat i dërgimit të investitorëve atje”, ka deklaruar Burjani, duke shtuar se PDK-ja është duke bërë përpjekje maksimale për të mos i ikur nga duart Drenasi.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se nuk pret të ketë balotazh.

Edhe Albert Krasniqi nga “Demokracia në Veprim” ka thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk pritet të ketë fushatë të “nxehtë” për mbledhjen e votave në Drenas.

Sipas tij, në tubimet e para është vërejtur një atmosferë e qetë dhe nuk ka pasur shumë përdorim të mjeteve zyrtare për qëllime të fushatës. Megjithatë, Krasniqi ka thënë se vazhdon të mbetet shqetësuese prania e fëmijëve në tubime.

“Fushata ka filluar më herët, pra para afatit zyrtar, dhe kjo po ndodh për shkak të mungesës së kufizimit të ndëshkimit në legjislacionin për fillimin e hershëm të fushatave zgjedhore. Legjislacioni në fuqi nuk e sanksionon dhe nuk e ndëshkon fillimin e fushatës së hershme. Për këtë arsye partitë politike e kanë filluar fushatën shumë më herët, kurse të hënën zyrtarisht ka nisur fushata dhe ne në kuadër të ‘Demokracia në Veprim’ jemi duke e vëzhguar procesin e fushatës zgjedhore. Të pakën në tubimet e para është vërejtur një atmosferë e qetë dhe nuk ka pasur shumë përdorim të mjeteve zyrtare për qëllime të fushatës. Ajo që është vërejtur deri më tani është prania e fëmijëve në tubime. Është e natyrshme që të përfshihen në fushatë edhe autoritetet nga niveli qendror, mirëpo kjo nuk do të thotë se duhet të mbesin anash punët e nivelit qendror dhe vëmendja të përqendrohet në nivel lokal. Prandaj nuk mund të ketë diçka ndryshe, por do të vazhdojë ky trend dhe fryma që e ka përcjellë para fushatën”, ka theksuar Krasniqi.