LAJMI I FUNDIT:

Amerikani që i kaloi 16 vite në burg pa e kryer as edhe një krim, vritet nga një polic në Georgia

Amerikani që i kaloi 16 vite në burg pa e kryer as edhe një krim, vritet nga një polic në Georgia

Leonard Allen Cure kaloi 16 vjet në burg për shkak të një dënimi të gabuar, më pas u shpall i pafajshëm.

Një oficer policie në shtetin amerikan të Georgia e vrau ditën e djeshme, transmeton Telegrafi.


Ai u qëllua pasi policia ndali veturën e tij. Ata pretendojnë se ky 53-vjeçar i është kundërvënë policit dhe e kishte sulmuar.

Pasi është qëlluar me armë zjarri, ka ndërhyrë ambulanca, por më pas ka ndërruar jetë.

“Mund ta imagjinoj se si është të dish se djali yt është i pafajshëm dhe ta shikosh atë duke u dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas ai lirohet dhe më vonë ju thuhet se u qëllua”, tha Seth Miller, i cili përfaqësonte Cure gjatë procesit gjyqësor.

Automjeti i tij u ndalua teksa ecte në autostradën që lidh shtetet e Georgia dhe Floridës. Ai doli nga automjeti dhe kur i thanë se do të arrestohej, nuk i zbatoi kërkesat e policit.

Pasi oficeri përdori revolen elektrike për herë të parë, Cure e sulmoi atë. Oficeri përdori sërish elektroshokun dhe më pas e goditi me shkop.

Krejt në fund ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar. Policia nuk ka dhënë detaje se përse duhet të ishte arrestuar Cure.

Siç raporton BBC, ai u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2004 për grabitje të armatosur dhe sulm në Florida.

U lirua nga burgu në vitin 2020, pasi u shpall i pafajshëm. I janë paguar 817 mijë dollarë si kompensim. Çekun për këtë kompensim e ka marrë në gusht të këtij viti. /Telegrafi/