LAJMI I FUNDIT:

Amerikani që akuzoi ashpër djalin e Bidenit, dyshohet se ka spiunuar për kinezët

Amerikani që akuzoi ashpër djalin e Bidenit, dyshohet se ka spiunuar për kinezët

Prokurori federal i Nju Jorkut njoftoi të hënën se ka akuzuar një shtetas izraelito-amerikan për spiunazh për Kinën, i cili, nga ana tjetër, po akuzon për korrupsion Hunter Biden, djalin e presidentit demokrat.

Gal Luft (57), drejtori i Institutit të Kërkimeve të Energjisë, akuzohet se “si agjent i Pekinit i cili u bashkua me të tjerët për të promovuar interesat kineze” pa u “regjistruar zyrtarisht si agjent i huaj, siç kërkohet nga ligji amerikan”, u tha një komunikatw pwr mediat nga zyra e Prokurorit të SHBA për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, Damian Williams.


Luft po ndiqet penalisht edhe për “trafik armësh”, “shkelje të sanksioneve kundër Iranit” dhe “deklarata të rreme ndaj agjentëve federalë”.

Ai u arrestua në Qipro në shkurt 2023 dhe më pas u arratis pasi u lirua me kusht në pritje të ekstradimit, u tha nda Departamenti i Drejtësisë. Ai përballet me 20 vjet burg për akuzat më të rënda të aktakuzës.

Gal Luft, që punonte si konsulent për kompaninë energjetike CEFC, të kontrolluar nga shteti kinez, akuzoi djalin e vogël të Joe Biden, Hunterin disa vjet më parë se kishte marrë miliona dollarë nga ajo kompani në rrethana të dyshimta.

Në një video të publikuar nga New York Post më 5 korrik, Luft thotë se e diskutoi këtë çështje me dy prokurorë federalë të SHBA dhe katër agjentë të FBI-së në Bruksel në mars 2019.

Disa ligjvënës konservatorë po bëjnë thirrje që Luft të dëshmojë në Kongres.

“Ai është dëshmitari kryesor”, tha senatori republikan Ron Johnson për Fox News të dielën, duke shtuar: “Ne duhet t’i japim atij imunitet që të mund të dëshmojë dhe të tregojë historinë e tij”.

“Gal Luft është një dëshmitar jashtëzakonisht i besueshëm për korrupsionin në familjen Biden”, shkroi përfaqësuesi republikan James Comer në Twitter të premten. /Telegrafi/