LAJMI I FUNDIT:

Amerikanët, gazi dhe nafta

Amerikanët, gazi dhe nafta
Ilustrim

Zhvillimi më i rëndësishëm në politikën amerikane në Shqipëri, pas mbështetjes përcaktuese për Reformën në Drejtësi, në katër vitet e fundit, është një drejtim ekonomik. Kjo i kushtohet një politike të zgjuar shtetërore prej nesh, për t’iu përshtatur interesave amerikane në rajon, të cilat duan të balancojnë ofensivën e gazit rus nga kompania shtetërore “GazProm”, nëpërmjet sjelljes së gazit… të lëngshëm (LNG) amerikan te ne. Porti LNG-së është projekt që daton në kohë, rreth 20 vite më parë dhe, për hir të së vërtetës, jo mirë i përgatitur në letra.

Mirëpo, që nga viti 2012, sapo filloi prodhimi i gazit argjilor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazifikimi i Ballkanit është projekt euroatlantik. Sot SHBA-të janë prodhuesit më të mëdhenj në botë të naftës dhe gazit nga argjila. Tri ditë më parë, kur ndihmëssekretari amerikan për Energjinë, Steven Winberg, erdhi në Tiranë në tryezën mbi hulumtimin e “Potencialit të depërtimit dhe aplikimit të gazit të lëngshëm natyror në Evropën Qendrore dhe Lindore” dhe përmendi rolin e Shqipërisë si portë hyrëse për gazin e lëngshëm amerikan, LNG, pak mes nesh besuan se do të ishte një projekt i shpejtë dhe konkret. Madje, u duk më shumë si përrallë, kur mediat u larguan nga salla e takimit.


Edhe kur filloi TAP-i në vitin 2012, projekti na ngjante si përrallë. Por, u bë realitet dhe vetëm te ne derdhi 800 milionë dollarë investime në ndërtimin e tubacioneve. Me përfundimin e gazsjellësit TAP, Shqipëria po shihet si një vend i rëndësishëm nga Shtetet e Bashkuara për të dominuar tregun e gazit në rajon. USAID, agjencia shtetërore amerikane e asistencës teknike, ka një projekt të rëndësishëm me Agjencinë tonë të Burimeve Natyrore AKBN.

Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është gjëja më e rëndësishme që mund t‘i vijë ekonomisë sonë, që të mos ngelemi me sytë nga qielli, për të pasur më shumë prodhim të energjisë nga hidrocentralet. Dje, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, takoi në Uashington sekretarin (ministrin) amerikan të Energjisë, Dan Brouillette.

Interesi i përbashkët është përdorimi i LNG-së si lëndë e parë për vënien në funksionim të TEC-it të Vlorës, pasi kushton më lirë se nafta, si dhe ndërtimi i depozitave apo edhe i një terminali për LNG-në në të ardhmen, që do ta kthente Shqipërinë në një qendër shpërndarëse të sasive të gazit të lëngshëm LNG, të eksportuara nga SHBA për në rajon. Prej rrëzimit të komunizmit tre dekada më parë, SHBA-të kanë qenë dhe mbeten partneri më i rëndësishëm strategjik i yni në rrugën tonë drejt konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Tani, ata mund të kthehen edhe në partnerin numër një në energji. Për herë të parë, përveç NATO-s dhe Reformës në Drejtësi, ekonomia, e veçanërisht energjia, kanë hyrë në planet e partneritetit strategjik me SHBA-të. Kjo duket qartë nga deklarimet publike të ambasadores së re të SHBA, Yuri Kim.

Një tjetër dëshmi e interesimit në rritje të SHBA-së për sektorin e energjisë, është edhe numri i shtuar i kontakteve dhe takimeve të ministres sonë të Energjisë me zyrtarët më të lartë të Departamentin Amerikan të Energjisë. Në vetëm pesë muaj, duke filluar nga takimi i zhvilluar në shtator të vitit 2019 në Nju-Jork me ssistentsekretarin Francis F. Fannon, ministrja Balluku ka takuar disa herë dhe asistentsekretarët e tjerë të energjisë. Këto takime nuk janë veprime kortezie.

Është hera e parë në 30 vite marrëdhënie, që SHBA-të kanë një përqendrim kaq të madh te energjia dhe ekonomia jonë. Hera e parë që një ambasador amerikan vjen me agjende të qartë dhe të deklaruar ekonomike, si dhe hera e parë që një ministër i yni shqiptar takon vetë kreun e Departamentit Amerikan të Energjisë. Këto janë tregues të qartë të interesit që SHBA kanë të investojnë në sektorin energjetik shqiptar.

Një interes, që, sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të lartë të SHBA-ve, do të mund të përkthehet në më shumë investitorë amerikanë dhe më shumë marrëveshje dhe bashkëpunim dypalësh, sigurisht me një avantazh të shtuar për ekonominë tonë. Teknologjia e shpërndarjes me gaz përmes kontejnerëve është një nga alternativat që po studiohet në SHBA për të furnizuar tregun shqiptar dhe atë rajonal me gaz të lëngshëm.

Futja në veprim e gazsjellësit TAP në fund të këtij viti heq varësinë që kishte prej dekadash nga gazi rus jo vetëm rajoni ynë, por mbarë Evropa Perëndimore. SHBA-të po tregohen të interesuar edhe për mënyrat e eksplorimit të naftës te ne.

Në trend

Më shumë
Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Bundesliga
Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Azia
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Liga e Kampionëve
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Liga e Kampionëve
Moment emocionues - Kiara Tito sjell një foto të Luizit duke mbajtur në krah vajzën e tyre të porsalindur

Moment emocionues - Kiara Tito sjell një foto të Luizit duke mbajtur në krah vajzën e tyre të porsalindur

Magazina
Kalo në kategori