LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori gjerman në Serbi: Prishtina të heqë taksën

Ambasadori gjerman në Serbi: Prishtina të heqë taksën

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb tha se vendi i tij mbështet fuqishëm dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE dhe i bëri thirrje Prishtinës të heqë taksat ndaj mallrave serbe.

Schieb tha për revistën “Diplomacy and Commerce” se ai pret që formati i dialogut të mbetet i pandryshuar dhe se rezultati i tij duhet të jetë një marrëveshje që do të jetë gjithëpërfshirëse, e pranueshme për të dy palët dhe e zbatueshme.


“Marrëveshja duhet të bazohet në parimet e multietnicitetit, për të siguruar të drejtat e pakicave dhe standardet demokratike dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal,” tha ai.

Ambasadori përshëndeti progresin e bërë deri tani në dialog, si liria e lëvizjes, njohja e ndërsjellë e diplomave, si dhe progresi në fushën e telekomunikacionit dhe drejtësisë, i cili, tha ai, ka përmirësuar standardin e jetesës së serbëve dhe shqiptarëve. Ai përkujtoi se normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën është njëri nga kushtet për përafrimin e Serbisë me BE-në./kp/