LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori Christian Heldt: Gjermania do ta përkrahë energjinë e ripërtërishme në Kosovë

Ambasadori Christian Heldt: Gjermania do ta përkrahë energjinë e ripërtërishme në Kosovë

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) me përkrahjen e Qeverisë së Gjermanisë, respektivisht GIZ, Projektit për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë (KEEP), ka lansuar të enjten Rrjetin e Bizneseve për Energji të Pastër, i cili synon nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, promovimin e debatit publik dhe adresimin e çështjeve ligjore për energji të pastër tek institucionet publike.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se 60% e konsumit të energjisë në Kosovë shpenzohet nga shtëpitë e banimit, ndërsa pjesëmarrja e sektorit privat është shumë e ulët, bëhet e ditur përmes një njoftimit për medie.

Ai ka thënë se Qeveria e Gjermanisë, e ka përkrahur sektorin e energjisë në Kosovë, me fokus në energjinë e ripërtërishme dhe energjinë efiçiente dhe do të vazhdojë ta përkrahë këtë sektor.

Ambasadori Heldt ka shtuar se rikthimi i investimeve në sektorin e energjisë së ripërtërishme dhe asaj efiçiente është shumë i shpejtë, prandaj e ka inkurajuar sektorin privat që t`i kenë prioritet investimet në këtë fushë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe energjisë efiçiente do të investohen në tri vitet e ardhshme rreth 100 milionë euro. Ai ka thënë se aktualisht janë të instaluara 77 MW/h energji e ripërtëritshme dhe janë në proces edhe 22 projekte të tjera me kapacitet 178 MW/h.

Nëpërmes Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër, Oda Gjermano-Kosovare dhe GIZ-i do të shërbejnë si urë lidhëse mes sektorit publik dhe privat në Kosovë, ka thënë drejtoresha e OEGJK, Nora Hasani.

Avni Sfishta nga GIZ ka treguar për praktikat më të suksesshme të vendeve të BE-së për investime në energjinë e pastër.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, ka propozuar masa fiskale, siç është përshkallëzimi i TVSH-së, për të nxitur investimin e ekonomive familjare dhe bizneseve në energji të pastër.

Aktualisht GIZ-i është duke promovuar debatin publik për Energji Efiçiente, duke përfshirë standardet dhe legjislacionin, ndërsa Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, si anëtare e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik në kuadër të Kryeministrisë si dhe Zyrës së Komunitetit për Biznese në Kuvend, mund të ofrojë inpute për promovimin e interesave të kompanive anëtare të Rrjetit.

Deri në fund të vitit, Rrjeti i Bizneseve për Energji të Pastër do të ketë edhe dy takime të tjera. Ky Rrjet do të jetë i hapur për të gjitha kompanitë të cilat dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e tregut të energjisë të pastër dhe energjisë efiçiente.