LAJMI I FUNDIT:

Ambasada e SHBA: Basha kërkesë të re, përpjekje e qëllimshme për bllokim të reformës

Ambasada e SHBA: Basha kërkesë të re, përpjekje e qëllimshme për bllokim të reformës

Ambasada amerikane në një reagim direkt për emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare thotë se Partia Demokratike dhe kreu i saj ka paraqitur një kërkesë të re për reformën në drejtësi, duke shtuar se ajo është e papranueshme.

Sipas ambasadës, ky zhvillim i fundit tregon se Basha po përpiqet qëllimisht ta bllokojë këtë reformë.

“Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme.

Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë. Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE.

Nëse Z. Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri në një reagim në Facebook, shkruan se drafti përfundimtar i dakorduar duhet të mbyllet sonte, pasi ndryshe nuk mund të miratohet në seancën e nesërme.