Aliu: Unë do të jem i pari që do të regjistrohem si dhurues organesh


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në panel-diskutimin publik kushtuar dhurimit të organeve, i cili u mbajt dje në Gostivar, prezantoi masat dhe politikat sistemore që po zbatohen për avancimin e dhurimit të organeve në vend, duke theksuar se bëhet fjalë për çështje e cila kërkon besim, humanizëm dhe pjekuri në shoqëri.
“Ka një rëndësi të veçantë për mua që sot flasim për dhurimin e organeve pikërisht në Gostivar, qytetin tim të lindjes. Ka tema që nuk kërkojnë vetëm politikë, por edhe humanizëm, besim dhe pjekuri morale të shoqërisë. Dhurimi i organeve është pikërisht një temë e tillë, e cila hap një nga pyetjet më të thella që shoqëria jonë mund t’i shtrojë vetes: a mundemi, në momentin më të vështirë, të krijojmë shpresë për dikë tjetër? Detyra jonë është të ndërtojmë besim dhe të krijojmë një sistem në të cilin familja do ta dijë paraprakisht vullnetin e të afërmit të saj. Dhurimi i organeve nuk duhet të jetë një temë për të cilën flasim për herë të parë në korridoret e spitalit, në momente të mbushura me tragjedi. Duhet të flasim në shtëpi, në familje, në shkolla, në universitete, mes mjekëve dhe pacientëve, hapur dhe pa paragjykime”, theksoi ministri Aliu.
Në këtë drejtim, theksoi se Ministria e Shëndetësisë po zbaton një fushatë kombëtare të vazhdueshme për rritjen e ndërgjegjësimit për dhurimin e organeve si një proces i përhershëm edukimi. Paralelisht, po punohet për përfshirjen e mjekëve amë, shkollave, universiteteve, shoqatave të pacientëve dhe bashkësive fetare, me qëllim që kjo çështje të bëhet pjesë e një dialogu publik të pjekur dhe të informuar. Njëkohësisht, sigurohet mbështetje e vazhdueshme për ekipet e transplantimit dhe po përgatitet një kornizë digjitale dhe ligjore në të cilën vullneti i qytetarëve do të shprehet qartë, do të regjistrohet në mënyrë të sigurt dhe do të respektohet në mënyrë konsekuente.
“Është në procedurë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, i cili tashmë është dorëzuar në Kuvend me procedurë të shkurtuar. Me këtë, shteti tregon se dhurimin e organeve nuk e trajton vetëm si çështje morale, por edhe si prioritet publik. Kuvendi dërgoi një mesazh të fuqishëm uniteti dhe konsensusi për forcimin e dhurimit të organeve, pasi deputetët e pushtetit dhe opozitës votuan për nevojën e miratimit të ligjit me procedurë të shkurtuar. Kur bëhet fjalë për jetën, nuk ka pozitë dhe opozitë, nuk ka dallim politik që mund të jetë më i rëndësishëm se detyrimi për të treguar se shteti di të jetë në anën e humanizmit, dinjitetit dhe shpresës. Ndryshimet e propozuara përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi ku vullneti personal i qytetarëve do të shprehet më qartë, do të mbrohet më fort dhe do të respektohet në mënyrë më konsekuente”, theksoi Aliu.
Me ndryshimet ligjore, siç sqaroi, çdo qytetar madhor do të ketë mundësi që te mjeku i tij amë të deklarohet qartë nëse dëshiron të jetë dhurues organesh, duke krijuar kështu një pasqyrë më të qartë të qëndrimeve të qytetarëve dhe duke forcuar më tej besimin dhe informimin për dhurimin e organeve.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu zgjerimin e mundësive për trajtim përmes zgjerimit të rrethit të dhuruesve të gjallë deri në shkallën e katërt të farefisnisë, duke respektuar plotësisht të gjitha standardet etike, mjekësore dhe ligjore.
“Deklarimi do të bëhet përmes një moduli të ri digjital në sistemin ‘Termini im’, në mënyrë të sigurt dhe me verifikim të dyfishtë. Çdo qytetar do të mund ta ndryshojë ose ta tërheqë vendimin e tij në çdo kohë. Kjo është e rëndësishme për dy arsye. Së pari, do të respektojmë lirinë personale dhe vullnetin e çdo njeriu. Së dyti, më në fund si shtet do ta dimë se sa qytetarë dëshirojnë të jenë dhurues organesh. Do ta dimë se ku ka më shumë informim dhe ku ekziston frikë, mosbesim apo mungesë njohurish për dhurimin e organeve. Kur sistemi të fillojë të zbatohet, unë do të jem i pari që do të regjistrohem si dhurues organesh”, theksoi ministri Aliu.


































