LAJMI I FUNDIT:

​Aliu: Rritja e çmimeve ka ndikuar të shfrytëzojmë vetëm 40% të buxhetit të vitit 2022

​Aliu: Rritja e çmimeve ka ndikuar të shfrytëzojmë vetëm 40% të buxhetit të vitit 2022

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë raportimi për raportin e punës për vitin 2022 para anëtarëve të Komisionit për Mjedis si projektet kryesore i ka listuar dy marrëveshje bashkëpunimi, atë për bashkëfinancim për studim të fizibilitetit për projektin hekurudhor Durrës-Prishtinës por edhe asfaltimi i rrugëve në zonat kufitare. Derisa u shpreh se projekti për mbjelljen e fidanëve është në përfundim e sipër.

Aliu tregoi se deri në këtë periudhë të vitit kanë shpenzuar vetëm 40% të buxhetit të ndarë për këtë ministri për vitin 2022.


Gjatë këtij raportimi Aliu njoftoi se si ministri dje kanë nënshkruar marrëveshje me kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit.

“Të arriturat kryesore janë duke filluar nga nënshkrimi i dy marrëveshjeve të bashkëpunimit mes ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe MMPHI në Kosovë. Marrëveshja e parë është bashkëfinancimi për studimin të fizibilitetit për projektin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinës me qëllim të përcaktimit të strukturave dhe ndarjes së kostove ndërmjet palëve dhe projektet për linjën hekurudhore nga Durrësi në Prishtinë. Marrëveshja e dytë është marrëveshja për vlerësimin e gjendjes në përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Kosovë-Shqipëri. Pra të dyja këto marrëveshje kanë pasur një ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm sidomos kjo e dyta po flas për banorët lokal që janë në zonat e thella kufitare që janë të izoluar dhe asfaltimi i këtyre rrugëve që është jashtëzakonisht i rëndësishëm ka pas të bëjë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Çështja e hekurudhës ka të bëjë me një çështje krejt tjetër me interesin jo vetëm të të dyja vendeve por interesin ekonomik të regjionit ”, tha Aliu.

Ai tha se me shtetin e Malit të Zi kanë nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë.

“Për dy rrugë, Pejë-Rozhajë, dhe Deçan-Plavë të dyja këto rrugë kanë një rëndësi të veçantë për të dyja vendet, rruga Deçan-Plavë do të jetë në parkun nacional dhe do të ketë një karakter të ndryshëm prej kësaj me qasje për zhvillim të ekonomisë së gjelbër ku nuk do të lejohet kalimi i transportit të rëndë që me zvogëlua ndikimin si në parkun nacional si në zonën e manastirit të Deçanit”, theksoi ai.

Si projekt të rëndësishëm ai përmendi projektin Flos që ka të bëjë me çështjen e ujërave i cili synon zvogëlimin e humbjeve në rrjetin furnizues.

Aliu u shpreh se gjatë vitit 2022 kanë arritur të sigurojnë marrëveshje për studimin e fizibilitetit për projektin e banimit të përballueshëm, të cilin e konsideron sfidues.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se është hartuar plani për planifikimin hapësinor si dhe plani për strategjinë e pylltarisë.

“Ky plan nuk do të jetë lehtë i realizueshëm nëse nuk do të kem koordinim të mirë mes gjithës sektorëve gjë që jemi duke punuar në krijimin e një data baze që është gjeo-hapësinorë që do të krijoj mundësi të kemi planifikim të mirëfilltë për të gjitha informacionet nga të gjitha ministrit janë duke u vendosur në data bazë diku kemi më shumë progres duku më ngadaltë“, tha Aliu.

E kryetarja e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacolli kërkoi të di rreth dy projekteve atë për rimbursim për shishet si dhe përdorimin e qeseve të plastikës me pagesë.

Ministri Aliu u shpreh se nga fundi i vitit 2023 do të nis faza e realizimit të projektit për rimbursim për shishet e plastikës, ndërsa tha se për qeset e plastikës janë në fazë të miratimit të udhëzimit administrativ.

“Secili qytetar që do të përdorë shishe të plastikës do të ketë mundësi t’i grumbulloj ato duke paguar taksë shtesë kur e blen ujin që ka me qenë 5 cent më shtrenjtë dhe të gjitha ato shishe pastaj ato 5 cent kthehen në momentin që t’i i mbledh grumbullon dhe i dërgon në pikën e grumbullimit. Tash jemi në finalizim që kërkon bukur hapa të kujdesshëm fundi i vitit që vjen është target kur ne planifikojmë për realizim të këtij projekti a do të lëshohet menjëherë në punë ajo faza e testimit nis në vitin që vjen. Tek qeset e plastikës jemi në miratim të udhëzimit adminsitrativ…fillimisht do të vendosim çmim për qeset e plastikës e më pastaj do të krijojmë politika për eliminimin e plotë të tyre”, tha ai.

Ndërsa, kritika për hartimin e këtij raporti pati deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila u interesua të di se nuk është mbështetur projekti për ujësjellësin në Skenderaj.

Duke e konsideruar si veprim të pafalshëm ajo tha se kërkesa për uji e banorëve të Skenderajt është jetike.

“Herëve tjera na kurseni prej informacioneve jo relevante për tu njoftuar me punën tuaj si ministër, i përmendet edhe disa projekte që pak ishin nuk pash ndonjë projekt kapital në infrastrukturë qoftë rrugore e gjana tjera nuk e di se cilat kanë qenë sepse në bazë të këtij raporti është dashur saktë me ditë se cilat kanë qenë minimalisht prioritetet e ministrisë për vitin 2022 që me ditë saktë cilat janë realizuar e cilat nuk janë realizuar”, u shpreh Musliu.

E ministri Aliu tha se për atë projektin e ujësjellësit në Skenderaj kanë evidentuar shumë shkelje me të cilat sipas tij po merret Prokuroria e Shtetit.

Ndërsa, shpenzimin e vetëm 40% të buxhetit për vitin 2022 e pranon që ishte i vogël po e arsyetoi me rritjen e çmimeve.

“Arsyeja pse është 40% është arsyeja e rritjes së çmimeve dhe shumë bllokime të projekteve që kanë qenë, mbase e rrisim deri në fund të viti jemi duke punuar intensivisht që me rrit këtë është shifër jashtëzakonisht e vogël për në një vit të tillë që ka pas ndikim në gjithë Evropën, për projektin konkret me dëshirën më të madhe do të kishim financuar ju mund të thoni se e diskriminoni Drenicën, Skenderaj në absolutisht nuk ka të bëjë kjo nuk ka të bëjë me kuptimin regjional ka të bëjë me procedurën nëse kemi pas trajtim të projekteve të ujërave dhe ka dal një nga projektet me shkeljet më të rënda që është konsideruar unë e kam pas problem me shty përpara e me dhënë nënshkrimin përkundër dëshirës së madhe”, tha Aliu.

Një varg pyetjesh për ministrin e Infrastrukturës adresoi edhe deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj e cila kërkoi më shumë vëmendje nga ky dikaster për parandalimin e ndotjes së ajrit sidomos tani kur sasia e përdorimit të thëngjillit është rritur.

Ajo u interesua të di se pse po procedohet tutje plotësim-ndryshimi i Ligjit për Ujërat.

“Më intereson të di me sa jemi të informuar ende nuk janë kontratat me operatorët ekonomik për këtë çështje cili është plani B nëse rrugët bllokohen nga bora dhe akulli, dhe cila është arsyeja e vonesës q]ë ende nuk është kryer ky obligim i detyrueshëm për qytetarët e Kosovës , unë mendoj se është çështje urgjente që duhet diskutojmë pasi bora veç ka filluar. Ligjin e ujërave pse po hiqen që dy herë nga plani legjislativ plotësim ndryshim i ligjit për ujërat që ka filluar në 2017 me koncept dokument është miratuar në 2018 dhe ka filluar plotësim ndryshimi që ka përfunduar dhe është i gatshëm”, tha ajo.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se kontratat me operatorët ekonomik për pastrim të rrugëve nga bora është nënshkruar dje.

“Kontratat për mirëmbajtjen për borën janë nënshkruar dje ose të premten, pra dje ”, tha ai.

Gjatë këtij raportimi ministri Aliu foli edhe për përfitimin e mbi 100 milionë eurove grante nga BE për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhim të mbeturave për çka tha se këto mjete ndikojnë drejtpërdrejtë në deponitë ekzistuese për t’i rritur kapacitetet e atyre ekzistuese me qëllim të shkuarjes drejt riciklimit.