“Në lidhje me rajonin e Strumicës, tomografi kompjuterik nga java e ardhshme do të instalohet sipas të gjitha standardeve, ndërsa qytetarët e këtij rajoni do të mund ta përdorin këtë shërbim diagnostik”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare në Kuvend lidhur me gjendjen në spitalin e Strumicës.

Duke iu referuar gjendjes konkrete në spitalin e Strumicës, ministri Aliu theksoi se institucioni është trashëguar me obligime të konsiderueshme financiare, por përmes menaxhimit të mirë tashmë janë arritur rezultate konkrete.


“Spitalin në Strumicë e trashëguam me mbi 100 milionë denarë borxhe. Sot, me menaxhim të mirë të këtij institucioni, borxhi tashmë është ulur për 20 milionë denarë. Vazhdojmë ta riorganizojmë linjën buxhetore dhe funksionalitetet në atë spital”, sqaroi ministri Aliu dhe shtoi se në spital është rekonstruuar një repart i tërë, i cili është në fazën e pranimit teknik dhe së shpejti do të vihet në funksion për qytetarët.

Ai tha se spitali i Strumicës është pjesë e procesit më të gjerë të forcimit të kapaciteteve rajonale shëndetësore, me qëllim që qytetarët të marrin shërbime më cilësore dhe më të qasshme më afër vendbanimit të tyre. Njëkohësisht, ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë punon mbi bazën e analizave funksionale për çdo rajon, sipas demografisë, nevojave të pacientëve, shërbimeve shëndetësore në dispozicion dhe kapaciteteve njerëzore.

Në këtë drejtim, ministri Aliu iu referua edhe shembullit të Manastirit, ku qendra onkologjike ka potencial të rëndësishëm për qasje rajonale në shërbime.

“Në Manastir, qendra onkologjike është një nga më modernet, por fatkeqësisht në të kaluarën nuk është investuar mjaftueshëm në teknologji. Atje kemi dy onkologë dhe po punojmë së bashku me Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji që shërbimet onkologjike të jenë të qasshme për qytetarët e atij rajoni”, tha ministri Aliu.

Ai rikujtoi edhe ciklin e madh investues që do të pasojë në infrastrukturën shëndetësore në Shtip, Kërçovë dhe Tetovë.

“Me Qeverinë kemi plan të investohen 205 milionë euro në Shtip, Kërçovë dhe Tetovë. Nga aspekti i infrastrukturës, shëndetësia nuk do të duket më si deri tani dhe do të ketë qasje reale në përputhje me shërbimet shëndetësore”, tha ministri Aliu.
Në përgjigjen ndaj pyetjes parlamentare, ai përmendi edhe digjitalizimin si një nga proceset kyçe për modernizimin e sistemit shëndetësor.

“Nga aspekti i digjitalizimit, tani po përgatisim Strategjinë Kombëtare për Transformimin Digjital të Shëndetësisë, e cila së shpejti do të jetë pjesë e rëndësishme e proceseve reformuese të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas 12 vitesh po investojmë edhe në infrastrukturën digjitale, në data qendrën. Të dhënat e qytetarëve deri më tani ruheshin në një data qendër që krijonte rreziqe për keqpërdorim të të dhënave”, tha ministri Aliu.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, porositi se qëllimi është të zhvillohet një sistem shëndetësor që do të jetë më i fuqishëm në aspektin infrastrukturor, më mirë i planifikuar nga aspekti kadrovik, i lidhur digjitalisht dhe më i qasshëm për qytetarët në çdo rajon.